Me urdhër të Prokurorisë së Tiranës është arrestuar edukatorja Majlinda Dehima, 48 vjeçe, e cila dhunoi një vajzë 3-vjeçare duke i thyer këmbën, në kopshtin “Stinët” në zonën e Ali Demit në Tiranë.
Ajo akuzohet për veprën penale “Keqtrajtim i të miturit”, teksa arrestimi është bërë pas dorëzimit të akt-ekspertizës mjeko-ligjore.
Rasti i dhunës në kopshtin “Stinët” në zonën e “Ali Demit” në kryeqytet u zbulua në emision “Stop” dhe solli jo vetëm indinjatën e opinionit publik, por zbuloi një zinxhir paligjshmërie.
Pas denoncimit, kopshti rezultoi i palicensuar, i cili u mbyll më pas me vendim të Ministrisë së Arsimit. Po ashtu, zyrtarë dhe punonjës të Komisariatit nr.1 në Policinë e Tiranës, pranuan se kanë neglizhuar hetimet për dhunën ndaj vajzës 3-vjeçares.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore i ka referuar Prokurorisë së Tiranës dosjen ndaj 2 policëve, Ylli Çakon, shef i seksionit të krimeve dhe Bledar Rushitin, SPZ i zonës për akuzën “shpërdorim detyre”. Hetimet po vijojnë për të parë nëse efektivët e akuzuar kanë përfituar ryshfet për të lehtësuar pozitat e pronarëve të kopshtit privat “Stinët”, por kjo mbetet në kuadër të dyshimeve pasi për momentin nuk ka prova për ngritje akuze.
Pas këtij rasti, Policia e Shtetit bën me dije se ka nisur kontrollet në në çerdhe, kopështe e shkolla private për të verifikuar ligjshmërinë e ushtrimit të aktivitetit nga operatorët ekonomik privat.