Kryetari i PD, Sali Berisha ju drejtua të rinjve demokratë se, diktaturën e përmbysni vetëm ju. Berisha tha se, ju duhet të mbroni të ardhmen e kombit nga Pashiqi që punon për Vuçiçin.
“Unë duhet t’u them ju se përmbysja e kësaj diktaturë është në duart tuaja. Një parti e tërë është sot në këmbë. Ai shesh, kur të duam, mbushet me dhjetëra dhe qindra mijëra. Por, diktaturën e përmbysni vetëm ju. Këtë mos e harroni.
Diktaturën e përmbysni vetëm ju në misionin e gjeneratës suaj. 30 vite më parë, një gjeneratë shpëtoi Shqipërinë nga diktatura komuniste. Sot, pas 30 vitesh, gjenerata juaj do shpëtojë Shqipërinë nga diktatura e bandës apo narkodiktatura. Dhe unë ju garantoj ju se për këtë nuk duhet asgjë tjetër vetëm vendimi juaj.
Se në vendimin e parë që ju të merrni atë vendim që morën studentët në dhjetor 1990, i pari që ia mbath nga Shqipëria është Edi Rama dhe banda e tij. Në Dubai apo kudo që të shkojë. Në këtë mënyrë, ju keni shpëtuar para se gjithash, të ardhmen tuaj.
Pa të ardhmen tuaj, Shqipëria nuk ka të ardhme. E ardhmja e Shqipërisë është e ardhmja juaj. Por jo vetëm e Shqipërisë, por edhe e kombit shqiptar. Shikoni se çfarë bën ky me Kosovën? Ndiqni shërbimet që i bën Beogradit. Është e paimagjinueshme që kryeministri juaj të quhet në botë, Pashiqi shqiptar apo kryeministri më i mirë i Serbisë pas Pashiqit.
Po pse kjo? Sepse sapo erdhi në pushtet, si një demon, u vërsul drejt Kosovës me të gjithë skenarin e Beogradit.
Së pari, ta ndajmë! Ç’të ndajë Kosovës? Kosova i ka me gjykatë ndërkombëtare të sanksionuar kufijtë. Me ata kufij, Kosovën e ka njohur 95 përqind e botës së lirë. Pasi dështoi, nxori projektin e Ballkanit të Hapur, që ishte vendosja e hegjemonisë serbe në rajon. Duhet t’ju qartësoj ju.
Në fillim të shekullit të kaluar, Fuqitë e Mëdha në një gabim historik, besuan se Ballkani i rebelëve qetësohet duke vendosur Serbinë si hegjemon të rajonit. Ajo i kushtoi rajonit, jo atëherë, por edhe para 10 vitesh, gjakderdhjet më të mëdha në historinë e vet. Dhe ky tani, shndërrohet në një argat që promovon çdo projekt të Beogradit.
A mund të imagjinoni ju? Erdhi këtu presidenti i nderuar francez, Makron, një nga udhëheqësit kryesorë të BE. Një ngjarje historike për Shqipërinë. Franca ka luajtur rol shumë pozitiv në luftën e NATO-s për çlirimin e Kosovës dhe mbrapa. Ka njohur pavarësinë e Kosovës. Presidenti Zhak Shirak angazhoi fuqinë ushtarake të Francës kundër Beogradit, një aleat i Serbisë prej dekadash dhe shekujsh ndoqi.
Por ndoqi parimet dhe të drejtën ndërkombëtare. Ky shkon dhe i kërkon të deklarojë këtu se Kosovës do i anulohen vizat. Ose shkon në Nju Jork, takohet me Vuçiçin, lajmërohet për atë që u bë në Banjskë dhe del e nuk ngushëllon as familjen.
Ose së fundmi, ndiqeni, u bë takimi në Bruksel, kryeministri i Kosovës e pranoi propozimin, unë e firmos tha, këtë formë asociacioni unë e firmos tani. Ai e refuzoi dhe ai vetë u tha të tjerëve se Kurti korri një fitore të përkohshme.
Çfarë bëri Pashiqi i shqiptarëve? Pashiqi i shqiptarëve nxori të gjithë mediat një javë mbrapa të thotë se ai projekt i asociacionit ishte i Edi Ramës, i liderit global të 1 prillit. Natyrisht kjo kishte një qëllim, që Vuçiçi ta kundërshtonte, të thoshte se ky është projekti i Tiranës, nuk kam punë me të. Saqë u detyrua komisioni të ndërhyjë dhe ta tërheqë.
Pra, kemi të bëjmë me një person, një zyrtar që përdor të gjithë pushtetin e shqiptarëve kundër gjysmës së kombit. Që bën gjithçka për të krijuar epërsi të Vuçiçit, i cili u them unë ju se është absolutisht një Millosheviç i ri, por në dallim nga i pari, nuk ka doktrinën komuniste, ka lidhjet me Kremlinin shumë më të forta se Millosheviçi, lidhjet me ekstremin e kishës, shumë më të forta se ai.
Ai kishte sigurimin, ky ka Belivukët. Belivukët janë banditët që merrnin dhe bluanin trupat e kundërshtarëve në brigjet e Danubit. Janë si Bajrët që vrasin nga 13-14, si Pëllumb Gjoka, banda e Durrësit e me radhë”, u shpreh Berisha.
