Ish-deputeti Mark Frroku dhe 7 persona të tjerë janë arrestuar nga Policia e Durrësit pas konfliktit të një dite më parë në Kepin e Rodonit në Durrës për çështje pronësie.
Burimet e policisë bënë të ditur se, gjatë sherrit është qëlluar me armë. Nga të dhënat paraprake, ka dyshime se personi që ka qëlluar me armë është kushëri i ish-deputetit Frroku.
Sherri mes banorëve të zonës dhe përfaqësuesve të Kishës Katolike ka nisur për pronën, ndërsa më pas ka agravuar deri në dhunë fizike.
Të 8 personat u shoqëruan një ditë më parë, ndërsa burimet konfirmuan sot se është arrestuar edhe Mark Frroku.
Përfaqësuesit e Kishës Katolike kanë qenë duke rrethuar pronën për të cilën kanë certifikatë pronësie dhe këtu ka nisur sherri.
Banorët e zonës nuk i kanë lejuar që të bëjnë këtë rrethim pasi edhe ata kanë një certifikatë pronësie, që pretendojnë se e kanë po për këtë pronë.