Kreu i PD, Berisha than ë konferencën për shtyp se, mercenarja e Ramës po shkruan Kushtetutën në tavolinë! Ai tha se, ftesa e fundit që kam për Ramën është hajde ta heqim atë nen.
“Nuk ka asnjë kërcënim. Gjykatësja me urdhër të Edi Ramës po kërkon të krijojë një precedent të tmerrshëm që nuk ka ndodhur kurrë.
Të shkruajë Kushtetutën në tavolinën e saj. Ky është mercenarizëm ekstrem. Nuk shkruhet Kushtetuta. Kushtetuta zbatohet. Asnjë ligj, asnjë person, asgjë nuk mund të dalë mbi Kushtetutën.
Ja çfarë thotë neni 73, pika 2: Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo forme, apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës pa autorizimin e Kuvendit.
Po deshe ju lexoj nen tjetër, ky nuk është vetëm për deputetët, është për të gjithë qytetarët: Askush nuk mund të pengohet të dalë lirisht jashtë shteti. Thotë neni 38, pika 2.
Nëse ti pranon të rrëzojmë Kushtetutën, atëherë hajde të rrëzojmë Kushtetutën. Të rrëzojmë Kushtetutën, kjo nuk ndodh!
Cili jam unë në këtë rast? Unë ofroj, e kam bërë në vitin 2012, që t’i krijoj çdo kusht gjykatësit dhe prokurorit, që të heqim këtë nen.
Edi Rama e ka mbrojtur me çdo kusht. Tani përsëri, e vetmja ftesë dhe e fundit që kam për Edi Ramën, urdhëro të heqim këtë nen.
Shiko, ai kontrollon çdo qelizë të drejtësisë, unë nuk kam frikë. Urdhëro të bëhemi të barabartë me qytetarët.
Por këtë nuk e do ai, se ai do të shërbehet me mercenarë që i lejojnë vetes të shkruajnë Kushtetutën. Nuk mund t’ia lë këtë trashëgimi unë vetes sime”, tha Berisha.
