Mos e vidhni kombëtaren!

Nga Redin HAFIZI

Mashtruesit mediatikë po vrapojnë të na sjellin një realitet të gënjeshtërt për fitoret e Kombëtares sonë. Lakejtë e qeverrisë kanë vrapuar që të deklarojnë se fitoret e kombëtares Shqiptare janë si rezultat i mirëqenies dhe mirëndenjjes së Shqiptarëve. Madje disa tentojnë të thonë se ky është shekulli i Shqiptarëve dhe, edhe nëse ky grup do të luante për Afganistan, nuk do të fitonte. Pra këta janë propagandistët që krijojnë realitete për të mohuar realitetin. Këta janë mashtruesit mediatikë. Ata mundohen të na thonë se në një realitet të varfër e pa liri dhe të drejta nuk mund të lindte një kombëtare si kjo e Shqiptarëve që po fiton dhe nuk duket se dikush mund ta ndalë.

Këta zotërinj harrojnë se ka një vend si Ishujt Faroe ku njerëzit janë shumë të lumtur, vendi shumë i pasur, por kanë vetëm 1 pikë pas 6 ndeshjesh dhe kurrë nuk kanë bërë një kombëtare të fortë. Ndoshta sepse ata nuk kanë emigrantë të shpërndarë nëpër botë, ose që të vijnë në vendin e tyre.

Këta mashtrues mediatikë nuk përmendin se ishte pushteti që nisi një luftë rrugaçësh kundër FSHF dhe futbollit Shqiptar. Ishte Erion Veliaj që arriti të përmendë gjenitalet e tij të çelikta që varen mbi kokën e SPAKiardëve të drejtësisë. Si rrjedhim ne rrezikuam të përjashtoheshim nga kompeticioni ku ne sot po fitojmë.

Ne fitojmë edhe pse jemi të shtypur, pasi tek futbolli kemi parë rezistencën në vitet më të errëta të diktaturës. Askush nuk harron vitet kur tifozët kundërshtonin regjimin në Kavajë, Berat, Fier e Lushnjë. Ndërkohë mashtruesit mediatikë duan që të fshehin parrullën e madhe kundër qeverrisë që kërkon përçarje mes Shqiptarëve, që janë të lumtur pasi e shohin bashkimin tek skuadra, tek futbolli, tek Shqipëria e Shqiptarëve dhe jo e qeverritarëve. Kjo kombëtare është Shqipëria që bën të lumtur çdo Shqiptar, që bën krenar çdo Shqiptar.

Në 90 minutat e ndeshjes kryeministër i vendit është trajneri Silvinho, pasi ai drejton një skuadër prej 25 lojtarësh që sejcili në rolin e tij duhet të bëjë të lumtur miliona Shqiptarë në gjithë botën. Ata po e bëjnë punën më së miri pasi e dinë që çdo gjë Silvinho kërkon është për të ngritur në këmbë çdo stadium në botë, madje edhe Gjermania do të habitet nga ajo që Braziliani ka bërë me Shqiptarët. Ndërkohë që Shqipëria e qeverrisë shkon poshtë në çdo gjë, Shqipëria e futbollit zgjodhi revolucionin dhe kjo po funksionon.

Nëse Shqipëria administrative nuk është Shqipëria e Shqiptarëve, duket qartë se Silvinho është shumë i zgjuar që të shndërrojë Shqipërinë e futbollit si Shqipërinë e të gjithë Shqiptarëve dhe ne fitojmë. Ai kuptoi konceptin e vjetër “Illyria”, pra kostellacion yjesh, pra ide të ndryshme që konvergojnë në një ide të madhe, në një skuadër prej 25 lojtarësh që ngre peshë miliona zemra. Kjo është kombëtarja jonë dhe unë besoj se Shqipëria vërtet do të jetë “Hirushja” e Gjermanisë 2024.

About Redaksia

Check Also

Historia përsëritet në mënyrë spirale

Nga Redin HAFIZI Kjo qeverisje është kthyer në bërthamën e një regjimi që po kap …

Leave a Reply