Vitamina D, fama dhe e vërteta

Nga Shefqet ELIALLISI

Në epokën që jetojmë, shpërthimi i informacionit ka tejkaluar mundësinë e përpunimit të tij. Jo gjithmonë çfarë thuhet duhet të besohet, veçanërisht për shëndetin, kur pa fund informacione na vijnë si dogma. Rasti klasik është “fama” e vitaminës D.

DINOSAURËT DHE VITAMINA D…

Një asteroid gjigand 65 milionë vjet më parë goditi tokën. Dielli u mbulua nga re pluhuri dhe tymi. Nata e gjatë që zgjati në kohë ndali fotosintezën.

Hallkat e zinxhirit ushqimor u këputën. Qëniet që mbijetonin në sajë të rrezeve të dielli u “fikën”. Dinosaurët u zhdukën. Endokrinologu amerikan i specializuar në fushën e vitaminës D, Dr. Holcik, pyet: “mos dinosaurët, vdiqën nga rakitizmi dhe osteomalacia, prej mungesës së vitaminës D nga mungesa e gjatë e diellit”?

PAK HISTORI

Biokimisti dhe nutricionisti britanik Sir Edward Mellanby, në vitin 1919 zbuloi vitaminën D, rolin e saj në parandalimin e sëmundjes së rakitit që njihej në atë kohë si “sëmundja angleze” shumë e përhapur në Britaninë e Madhe. Nga ajo kohë e deri pak dekada me parë, vitamina D përdorej vetëm për trajtimin dhe parandalimin e sëmundjeve të kockave, rakitit dhe osteomalacisë; sëmundje të rënda të veshkave në të cilat dëmtohet sinteza e vitaminës D… dhe gjatë muajit të parë të shtatzanisë. Kaq.

ZBULIME TË REJA…

Në emër të interesave të shëndetit, por në të vërtetë të fitimit, është krijuar një rreth vicioz: bizneset shpikin sëmundje të reja për t’ia përshtatur barnave ekzistuese. Ky është dhe rasti i vitaminës D.

Dekadat e fundit fuqishëm reklamohet zbulimi i vlerave të reja të vitaminës D: “Vitamina D ndërton kockat, forcon imunitetin, shmang depresionin, pakson riskun për sëmundje të zemrës, diabetit, veshkave, kancerit, parandalon sëmundjet autoimune, goditjet në tru, ndihmon në trajtimin e astmës, hipertensionit, artritit, tuberkolozit, është shumë më e mirë se vaksinat për parandalimin e gripit dhe infeksioneve, siguron gjumë të mirë, nxit rënien në peshë, përmirëson kujtesën… reklama pa fund”. Vetitë “magjke” kanë tërhequr vëmendjen e publikut të etur për lajme për shëndetin. Testimi i nivelit të vitaminës D ka kapur majat, shitja e suplementeve gjithashtu. Ndërkohë, që evidencat klinike vënë në dyshim vlerën e këtyre “zbulimeve”.

MUNGON VITAMINA…?

Absurdi vazhdon… Artikuj që paralajmërojnë një “pandemi të mungesës së vitaminës D”. Surprizojnë revista mjekësore serioze: “Mungesa e vitaminës D, një pandemi globale”…

Çfarë ka ndryshuar? Kanë ndryshuar në mënyrë dramatike genet tona? Jo. Kanë ndryshuar burimet natyrale të vitaminës D? Jo, ushqyerja ka bërë hapa cilësorë, ndërsa rrezet e diellit ndriçojnë si më parë. E vetmja që ka ndryshuar është komercializimi i mjekësisë dhe medikalizimi i jetës. Nuk është rastësi që “mungesa globale” e vitaminës D zbulohet pikërisht me zbulimin e vlerave “çudibërëse” të vitaminës D.

…APO MUNGON VLERA NORMALE?

Para se të përcaktohet “mungesa”, duhet të përcaktohet vlera “normale”. Kush është vlera normale e vitaminës D në organizëm? “Fatkeqësisht qenia njerëzore s’ka ardhur në këtë botë e paisur me ndonjë manual që përcakton vlerat “normale” të përbërësve të organizmit” – shkruan David Agus në bestsellerin “Fundi i sëmundjes” (2011)

Vlera normale s’është një numër për të gjithë, një masë që i përshtatet të gjithëve. Polimorfizmi është i njohur në biologji. Grupet e gjakut janë të ndryshëm për individë të ndryshëm, ngjyra e syve po ashtu, dhe niveli “normal” i vitaminës D duket se është i ndryshëm për individë të ndryshëm. Këtë tregon variacioni shumë i gjerë i vlerave të saj nga një vend në tjetrin, madje edhe te njerëz që jetojnë në të njejtën gjerësi gjeografike, të ekpozuar ndaj të njejtës sasi të rrezeve të diellit. Për një pandemi të mungesës së vitaminës D, s’bëhet fjalë, pandemia e vetme është mania për të marrë suplemente.

“PILULAT E DIELLIT” PO HUMBIN SHKËLQIMIN

Suplementet me vitaminën D, “pilulat të diellit” siç pëlqehen të reklamohen, po demitizohen. Studimet e reja po shuajnë zhurmën e grupeve të interesit për më shumë suplementë me vitaminë D. Entuziazmi i parë po zbehet. Asnjë provë nuk ka që “pilulat e diellit” ulin riskun për kancer, sëmundje të zemrës, goditje në tru, s’ka prova të mjaftueshme që mund të parandalojnë sëmundjet kronike, që s’lidhen me kockat. “Asnjë provë s’ka që njerëzit me nivel më të lartë të vitaminës D janë më të shëndetshëm se ata me nivel më të ulët” – shkruan Dr. Clifford Rosen shkencëtar i fushës.

VITI 2022: VERDIKTI U DHA…

Studimi më i fundit, më i madhi, më i gjati në kohë, nga studiuesit më seriozë të fushës, i quajtur VITAL, pas shtatë vitesh studim, në korrik 2022, shpalli rezultatet në revistën më prestigjioze mjekësore “New Egland Journal of Medicine”, duke vendosur pikat mbi “I” në lidhje me famën dhe të vertetën mbi vitaminën D.

Studimi zhvlerëson vlerat e reja të zbuluara të vitaminës D si të pambështetura në evidencë. Suplementet e vitaminës D s’mund të parandalojnë sëmundjet kronike që s’lidhen me kockat, madje as frakturat në përgjithësi.

Përdorimi i tyre në popullatë në përgjithësi është i paarsyeshëm, nuk ndihmon njerëzit e shëndetshëm të ruajnë, përmirësojnë shëndetin, apo të zgjasin jetën. Kontrolli rutinë për të zbuluar mungesë të vitaminës D te njerëzit e shëndetshëm është i padobishëm, ka vlerë vetëm për të diagnostikuar gjendjet që shkaktojnë mungesë të rëndë të vitaminës D.

Shumica e njerëzve kanë sasi të mjaftueshme të vitaminës D, të siguruar nga burime natyrale.

Pyetja që me të drejtë behet: pse vazhdohet më tej?

MARKETINGU I FRIKËS

Fama e kësaj “mrekullie” të zbuluar, është përhapur fuqimisht nga industria nëpërmjet një marketingu, të njohur shumë vite më parë si marketingu i “frikës”.

Në vitin 1923 një ndër shkrimtarët francezë më të mirë të gjeneratës së tij, Jules Romain, shkroi dramën “Knock, ose Triumfi i Mjekësisë”, në të cilën satirizonte mjekësinë moderne. Përmes humorit dhe ironisë, ai denonconte medikalizimin e jetës. Personazhi kryesor, Doktor Knock, ndërton një biznes të fuqishëm mjekësor duke i kthyer gjithë banorët e fshatit ku punonte në pacientë, duke i terrorizuar me frikën e sëmundjeve. “Njeriu që ndihet mirë – thoshte Doktor Knock – në të vërtetë është i sëmurë por nuk e di.”

Një shekull më pas, profesori i Bioetikës në Universitetin e Pensilvanisë, Arthur Caplan, shkruan: “Nëse doni të ngjallni shqetësim në publik dhe keni dollarë për t’i bërë reklamë, ju mund të shndërroni pothuajse çdo gjë në sëmundje…”

MJEKËT DHE “PACIENTËT”…

Një pjesë e mjekëve janë të paazhurnuar shkencërisht, të tjerët kuptojnë gjithçka, dhe vazhdojnë të japin suplemente mbasi ato janë të popullarizuara, kërkohen shumë nga njerëzit, të cilët mendojnë se duke i marrë rregullisht mund të bëhen më të shëndetshëm, mund të korigjojnë mangësitë në stilin e tyre të jetës, mund të jetojnë më gjatë… Dhe, shprehitë e krijuara është vështirë të çrrënjosen.

VIRTUOZITET I PAKONKURRUESHËM…

Organizmi ynë është i pajisur me një teknologji të jashzakonshme që edhe inxhinierët më virtuozë e kanë të pamundur ta kopjojnë…

Nëna Natyrë e siguron vetë vitaminën D që i nevojitet. Asnjëherë s’ka tepricë në organizëm, asnjëherë s’ka nivele toksike.

Burimet natyrale, rrezet e diellit dhe disa ushqime mjaftojnë. Për burimin e tretë, jo natyral, suplementin, nevoja lind në fare pak raste…

NË VEND TË MBYLLJES…

Në gazetën “The Wall Stret Journal”, Dr. Grupeet Dhaliwall shkruan: “Njerëzit me shëndet të mirë, që marrin suplemente vitaminash, duhet të informohen se janë duke paguar jo pak para për një efekt placebo”. Ndërsa në rastin e vitaminës D, biznesi mund të “shesë” frikën, por jo rrezet e diellit…

© Shefqet Deliallisi

About Redaksia

Check Also

Vizita e Veliajt në Iran në 2008, si u maskua dhe shërbimet partnere

Kryetari i PD, Sali Berisha ka akuzuar Erion Veliajn se ka bërë udhëtime të dyshimta …

Leave a Reply