Ballkani i Ilir Dajës vazhdon shkëlqimin në Europë

Ballkani po vazhdon me formën e lartë në garat evropiane, teksa sonte e fitoi përballjen e parë ndaj BATE Borisovit, në kuadër të fazës së “Play-Off”-it në Ligën e Konferencës.

Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja triumfoi me rezultatin 4:1. Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Kampioni i Kosovës e nisi më mirë ndeshjen, por ishin mysafirët që kaluan të parët në epërsi përmes Denis Laptev, i cili shënoi në minutën e dhjetë.

Ballkani nuk e ndali presionin dhe krijoi raste për të shënuar, por golin e barazimit e gjeti në minutën e 31-të.

Ishte Bajram Jashanica që shënoi me kokë pas një harkimi nga këndi të Lorenc Trashit.

Baras u mbyll pjesa e parë, teksa suharekasit vazhduan me ritëm të lartë edhe në pjesën e dytë, të cilën e dominuan në tërësi.

Përforicimi i kësaj vere, Bleart Tolaj, ishte ai që “shpërtheu” duke shënuar golat e parë me fanellën e Ballkanit.

Tolaj shënoi fillimisht me kokë në minutën e 58-të pas harkimit të Armend Thaqit. Edhe në minutën e 66-të ishte Tolaj që iu përgjigj më së miri një harkimi të Thaqit.

Armend Thaqi në fund e vulosi fitoren e “portokallezinjve” me një gol të shënuar nga distanca. Goditja e tij më shumë ishtë në formë harkimi, por që përfundoi pastaj në rrjetë pasi nuk u devijua nga askush.

Ndeshja e kthimit do të zhvillohet pas një jave në Budapest. Skuadra fituese do të sigurojë pjesëmarrjen në grupet e Ligës së Konferencës.

Ballkani këtë arritje e kishte regjistruar vitin e kaluar dhe tani duket shumë afër për ta përsëritur këtë sukses.

About Redaksia

Check Also

“I mrekullueshëm”! Italia jehonë portierit Etrit Berisha

Një vit më parë përjetoi makthe në Torino, ku nuk u aktivizua thuajse fare, por …

Leave a Reply