Këlliçi dorëzon mandatin e deputetit: E refuzoj modelin tuaj, do të luftoj me gjithë fuqinë!

Deputeti i PD, Belind Këlliçi ka dorëzuar sot mandatin me një fjalim të fortë në Kuvend. Mesazhet e kandidatit të opozitës për Bashkinë e Tiranës, ishin të drejtpërdrejta dhe vijnë si një reflektim i këtyre dy viteve të angazhimit në jetën politike si anëtar i Parlamentit. Këlliçi ka shprehur zhgënjimin për atë që ka parë dhe dëshmuar në këto kohë, ndërkohë që pritshmëritë e tij ishin të mëdha.

“Kur hyra për herë të parë në këtë sallë, në shtatorin e vitit 2021, pata një emocion të fortë. E kisha ngarkuar veten me pritshmëri të mëdha, pasi nuk besoj të ketë privilegj më të madh për një njeri politik, për një të ri, se sa të marrë besimin e njerëzve, t’i përfaqësojë ata dhe të betohet si deputet i Republikës.

I thoja vetes se po futem në aulën ku janë bërë ndryshime të mëdha, e ku janë marrë vendime historike për vendin tim. Do kem dhe unë një karrike aty ku dikur është ulur Azem Hajdari, ku ka qenë Pjetër Arbnori, Gramoz Pashko, Sokol Olldashi, aty ku sot është Sali Berisha, apo ku ka qenë Rexhep Mejdani, e ku sot vijon të jetë Pandeli Majko, kryeministri i luftës së Kosovës. Me këtë trysni emocionale, me këto ide se po bëhem pjesë e një trupe të rëndësishme që udhëheq vendin, hyra në Kuvendin e Shqipërisë”, u shpreh Këlliçi.

Por ai vërejti se ndryshe nga sa shpresonte, tjetër gjë gjeti në Kuvend, aty ku është zemra e politikës.

“Shpejt vura re se shenjtëri jo që nuk gjeta, por më keq, profanja, spekulimi, gënjeshtra, sulmi, urrejtja, vulgu, qenë tiparet e pandashme të Parlamentit tonë. Pothuaj asgjë këtu nuk dallova që ka të bëjë me jetën e qytetarëve, me shqetësimet e tyre. Një rendje e çmendur për interesin personal, një makutëri për pushtet, një lakmi për privilegje. Nuk hasa në asnjë moment, e nuk e pashë në dy vite, atë që njihet si boja, përmasa e njeriut.

Të atij e asaj që ju ka votuar, që na ka votuar, që na ka sjellë këtu të jemi besnikët e tyre, që t’u mbrojmë interesat, ëndrrat dhe aspiratat. Keni shitur shpirtin kolegë, më vjen keq ta them këtë për pjesën tuaj dërrmuese. Sepse nuk ka konkluzion tjetër, nuk ka emërtim tjetër, kur bën pabesinë e tradhtinë më të madhe, që t’i kthesh kurrizin atij që të dha gjithë këtë privilegj e bekim, që të solli në këtë sallë, pra t’i kthesh kurrizin qytetarit tënd”, deklaroi Këlliçi.

Në fjalimin e fortë që mbajti në Parlament, në seancën e dorëzimit të mandatit, Belind Këlliçi foli për modelin që ka ofruar ajo sallë, dhe politika e në veçanti rilindja. Ai tha se e refuzon këtë model, dhe shtoi se do ta luftojë atë me sa fuqi të ketë.

‘Nuk mund ta fsheh, që largohem i pezmatuar, kur mendoj se si kryeministri i vendit tim ka lëshuar këtu fyerjet dhe etiketimet më të rënda ndaj opozitës dhe ku asnjë ditë nuk ushtroi atë që njihet si themeli i vlerave europiane, që është mbajtja e përgjegjësisë.

Kurrë nuk mbajti ai përgjegjësi për punët që kanë shkuar gjithnjë e më keq në vend, për braktisjen masive e shpopullimin e vendit nga të rinjtë, për rastet flagrante të korrupsionit e abuzimit të detyrës nga njerëzit më të afërt e më të pushtetshëm në këto 10 vite qeverisje, për thellimin e keqqeverisjes, për cenimin e votës, për varfërimin e skajshëm të qytetarëve tanë, për ngushtimin e hapësirave të lirisë, për kapjen e drejtësisë dhe të medias.

Kurrë nuk mbajti asnjë gram përgjegjësi kryeministri ynë. Dhe kurrë, nuk tha një herë të vetme, se po ky është faji im. Por vetëm sulmoi e përdori edhe instrumente ekstraligjorë, kundër kundërshtarit të tij politik, në përpjekjet më primitive, parapolitike, për asgjesimin e Opozitës. Une kam ende shumë për të mësuar, se për fat jam ende i ri.

Por një gjë e di mirë. Modeli politik që keni ofruar ju, kjo sallë, ky kryeministër dhe kjo qeveri, nuk do të jetë kurrë modeli që unë do të ndjek. Por do te jetë modeli që do ta luftoj me sa fuqi do të kem’, deklaroi Belind Këlliçi.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Edi Rama ka dëshmuar se është i aftë ta shumëzojë me zero parlamentin!

Kryetari i PD, Sali Berisah bëri komentet e tij sot lidhur me mbledhjet online të komisioneve …

Leave a Reply