Kryeministri Edi Rama u tërhoq nga projekti i dhënies së të ashtuquajturave Pasaporta të Arta, shtetasve të huaj që vendosin të investojnë në Shqipëri, pa filtra. Lajmin e ka dhënë jo ai, por përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell, në një konferencë të përbashkët me Kryeministrin Edi Rama dhe kryekomisionerit Oliver Varhelyi.
Borrel ka shprehur angazhimin e Bashkimit Evropian për integrimin e Shqipërisë dhe njoftoi se Kryeministri Rama kishte deklaruar se skema e Pasaportave të Arta nuk do të ndiqej më tej.
“Ti tregojmë popullit shqiptar që Shqipëria po afrohet gjithnjë e më tepër pranë jush, – tha Borrel. – Japim sinjal të fuqishëm politik për angazhimin e BE ndaj integrimit shqiptarë si vend anëtar në BE. Ky Këshill përdoret si ndërveprim institucional mes BE dhe Shqipërisë. Shqyrtojmë çfarë është bërë, ku ka nevojë për përpjekje dhe punën që kemi para nesh. Mesazhi kryesor nga kjo mbledhje është angazhimi ynë i patundur për angazhimin evropian të Shqipërisë. Po punojmë së bashku për integrimin në të gjitha linjat, si pjesëmarrja juaj në misionet e politikes sonë të përbashkët.
Dua të pranoj dhe vlerësoj se ky vend ka treguar një angazhim ndaj reformave të nevojshme dhe ka arritur etapa të rëndësishme në fushën e drejtësisë. Reforma ka ecur para në mënyrë të qëndrueshme. Patëm mundësi të mirëpresim deklaratën e kryeministrit se skema e Pasaportave të Arta nuk do të ndiqet më tej dhe kemi trajtuar çështje të tjera si polarizimi i mjedisit politik në vend”, tha Borrell.
Kurse Rama shtoi: Për Pasaportat e Arta e kemi pezulluar procesin deri kur të sqarohet në nivel europian qëndrimi. Nuk e shpikëm, e morëm nga vendet e BE-së. Nuk do ta nxjerrim këtë iniciativë në tavolinë pa marrë vendim Gjykata Europiane. Nëse Gjykata Europiane do të vendosë kundër çështja është e mbyllur, nëse Gjykata Europiane vendos pro, atëherë është në zgjedhjen e vendeve”, deklaroi ai.