Jamie Carragher insiston se Kylian Mbappe duhet të largohet nga Paris Saint-Germaini sa më shpejt të jetë e mundur pas humbjes së mbrëmshme nga Bayern Munichu dhe me këtë rast eliminimit nga Liga e Kampionëve.
Ish-futbollisti anglez, sot analist i futbollit, mendon se ylli francez duhet t’i bashkohet Real Madridit nëse dëshiron të fitojë trofe të rëndësishëm.
“E kam thënë edhe më herët për Kylian Mbappen, ai duhet të largohet. Ata (PSG) nuk janë askund për ta fituar Ligën e Kampionëve. Nuk mendoj se do të bëjnë më mirë as sezonin tjetër, nëse kjo skuadër mbetet aty. Mendoj se sa më shpejt që i bashkohet Real Madridit, aq më mirë për të”, u shpreh Carragher për “CBS Sports” pas lojës.
Mbappe ishte pranë transferimit në Real Madrid verën e kaluar, por në fund u përmbys gjithçka rreth kësaj mundësie dhe më pas ai e vazhdoi kontratën me parisienët.
E në verën që vjen shihet si më i mundshëm transferimi i nënkampionit të botës në “Santiago Bernabeu”.