Pa filluar seanca, Rama ka nisur të ‘shëtisë’ në Kuvend, ndërkohë që deputetët e Opozitës i kanë kërkuar llogari për takimet e tij me ish-agjentin e FBI-së Charles McGonigal. Ai ka lëvizur dy herë nga vendi ku qëndron i ulur gjithmonë. Herën e parë, u shpëtoi kamerave, ndërsa kur lëvizi për herë të dytë, u pa që shkoi dhe u ul krah deputetit Pandeli Majko. Rama i hodhi krahun në qafë Majkos, foli me të dhe të dy nisën të qeshnin.
Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, Ramën nuk e zë vendi se ka kryer krime të shëmtuara, kombëtare dhe ndërkombëtare.
“Më duhet të theksoj se skena e këtij parlamenti sot është më e veçanta në tërë historinë e tij. Aty ku është karrigia e kryeministrit, qëndron sot Charles McGonigal. Ai që duhet të ishte aty është iluziv sepse i ka hyrë lepuri në bark dhe ka një frikë të tmerrshme nga ajo që i kabërë vetes së tij. Atë nuk e zë vendi se ka kryer krime të shëmtuara, kombëtare dhe ndërkombëtare. Mirë është që sot të sjellë një barrelë e një shtrat, ai sot bëri mirë që s’doli aty se nuk ka soi të paraqitet para shiptarëve me krimin e shëmtuar që ka kryer. Jam këtu për një seri pyetjesh, janë 13, por duhet të jenë 130, të cilave duhet tu përgjigjet komisioni hetimor parlamentar. Pa marrë përgjigje këto pyetje, ky vend do të jetë vetëm kaos”, tha Berisha.