Partia Socilaiste kërkon që mediat në Shqipëri të mos publikojnë asnjë të dhënë të të siguruara nga aplikacioni ‘Aktiv1sti’, qofshin të plota apo të pjesshme, në të kundërt paralajmëron se gazetarët do të përballen me ligjin. Në një kërkesë zyrtare drejtuar mediave, PS shkruan se çdo e dhënë e dalë nga aplikacioni që konsiderohet një mjet komunikimi i Partisë Socialiste dhe pronë e selizë rozë, është e siguruar në mënyrë të kundraligjshme dhe se kodi penal në Shqipëri ka kriminalizuar ndërhyrjet e paautorizuara kompjuterike.
Në kërkesën e saj, PS kërkon që edhe mediat të cilat kanë publikuar të dhëna deri më tani, t’i fshijnë ato për të shamngur pasojat, pasi gjithçka do të ndiqet nga selia rozë në mënyrë ligjore. PS shton se informacioni në fjalë nuk është tjetër veçse një produkt i veprës penale, dhe cënon rëndë të drejtën e fshehtësisë së jetës private të individit dhe për pasojë, selia rozë thekson se do të ndjekë në mënyrë rigoroze këtë rast dhe do të procedojë sipas ligjit për hetime të mëtejshme në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për çdo media e cila do të vazhdojë të kryejë publikimet e këtyre të dhënave në shkelje të ligjit edhe pas kësaj kërkese publike.