NDRYSHIMI KA FYTYRË NJERIU…

Nga Luçiano BOÇI

Gjithmonë në prag protestash, kur ngjarje kolektive të reagimit masiv bëhen gati të ndodhin, në çastet kur dëgjoj sesi policia po merr masa dhe njerëzit organizohen, më kujtohet viti 1990, 1991, 1992…

Më kujtohen fillesat e lëvizjes popullore për “Liri – Demokraci”, ajri i elektrizuar i turmave që thërrisnin “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, fryma e mbetur peng tek shpresat, imazhi i atyre krahëve tejet të hollë – gati si në një metaforë filmike – që ngriheshin prej trupash gjithashtu të imët e të dobët, ngjashëm me ca fije drite të dala nga një trup horizontal e i padukshëm, masiv. Ai përfytyrim ende më mbush me besim…

Fuqia e asaj mase njerëzore për të shpallur veten, guximi i atyre syve të gërryer nga pritja dhe mundimet, këmbëngulja e atyre njerëzve për të thënë gjithçka pavarësisht dhunës, përtej presionit policor, pa pyetur qoftë edhe për kërcënimin ushtarak të një regjimi si ai i Enver Hoxhës – më kthen përpara syve një realitet tjetër, ku njeriu është i pathyeshëm, sepse misioni i tij është i shenjtë.

Guximi, virtyti, shpirti i madh, fuqia e besimit e bën këtë mision të shenjtë!

Nesër shqiptarët përsëri do të lidhin krahët me njëri tjetrin, do të ngrejnë drejt qiellit ato gjurmë drite në formë duarsh, do të ndezin sytë me flakën e shpirtit dhe do të valëvisin fjalë dhe tinguj në ngjyrë qielli, duke rindjerë të plotë dhe të vërtetë fuqinë e tyre për ndryshim.

Ditë të tilla të veçuara janë të vogla për kujtesën e madhe kolektive. Por ato janë më të mëdha se çdo ngjarje në vetvete, ato janë gurthemeli i ndryshimit, i përparimit shoqëror, i besës së dhënë tek fati i tjetrit se jemi në këtë botë për të qenë bashkë, për t’u rritur bashkë – si shoqëri dhe si bashkësi, si mendje e si trup, si breza e si individë.

Këto ditë të shkëlqimit të madh të virtytit kanë në zemër tharmin e suksesit për mijëra e mijëra njerëz, breza me rradhë që do të vijnë më vonë, me heshtjen e tyre të begatë, me mirënjohjen e tyre duarplotë prej punës dhe përpjekjeve për t’i dhënë formë dhe frymë lirisë.

Ndryshimi ka fytyrën e bukur të njeriut! Siç thotë Bertold Brecht “Ndryshojeni botën. Ajo ka nevojë për këtë”.

Elbasani ka nevojë për ty! Shqipëria ka nevojë për ty!

About Redaksia

Check Also

Historia përsëritet në mënyrë spirale

Nga Redin HAFIZI Kjo qeverisje është kthyer në bërthamën e një regjimi që po kap …

Leave a Reply