Kryetari i PD, Sali Berisha, në takimin me kandidatët për kryetar bashkie në zgjedhjet e 14 majit, tha se, ky regjim dhe Edi Rama po vrasin shpresën duke prodhuar vetëm ligësira.
“E gjitha kjo vjen nga një politikë antishqiptare, ç’njerëzore që ndiqet ndaj këtyre njerëzve. Këtu kemi qenë dhe INSTAT i drejtuar nga Rama, nxori grafikun që nga viti 2007-2014, popullata në Shqipëri u rrit nga viti në vit. Dhe kjo është e vërtetë. Në këto vite u rikthyen mbi 180 mijë emigrantë shqiptarë. Dallimi ishte themelor; Shqipëria një vend shprese. Me ato të ardhura, ato kushte, por kishte shpresë.
Sot ky regjim, Edi Rama vret shpresën. Po si e vret shpresën ky? Vret shpresën duke prodhuar vetëm ligësira, vetëm fëllikshtira, vetëm skandale. Ky e vret shpresën duke vjedhur shqiptarët. Në mënyrë të pamëshirshme ky njeri që udhëton 137 udhëtime me çarter, me avion në dispozicion, me dhomë gjumi luksoze, sikur të ishte sheiku më pasur i gjirit. Ky njeri që mban vetëm për rrogat e pilotëve, shpenzon 300 milionë në vit, ky njeri i cili udhëton si sheikët me makina 500 mijëshe dhe deklaron se e bleu PS, se e ka bankë PS-në, ky njeri i cili thotë se firmos ‘fap fap fap’, për xhepat e tij, firmos për 420 mln euro në kundërshtim flagrant me ligji.
Keni dëgjuar ju rastin e zv/ministrit që e arrestuan se i tha punonjësja e thesarit se kjo nuk bëhet. Edi Ramës i tha dy herë, Agjencia e Prokurimeve Publike se kjo procedurë është antiligjore, por ajo ishte procedura që jepte para. Ai patë ju fushat e Sharrës si janë bërë miniera floriri për këtë hajdut. Atje plehrat i tarifojnë sikur digjen, në fakt atje as nuk seleksionohen, por diferenca është se për çdo ton futin 18 euro në xhep. Diferenca është 54 mln euro gjatë këtyre viteve ua kanë grabitur qytetarëve dhe bizneseve vetëm të qarkut të Tiranës”, tha Berisha.
