Disa ditë pas publikimit të skandalit në Ministrinë e Financave, ende nuk ka një reagim as nga titullarja e këtij dikasteri dhe as nga kryeministri Rama për aferën e 1.2 milionë eurove.
Mediat i janë drejtuar disa herë me pyetje ministres Delina Ibrahimaj nëse ishte në dijeni të shkeljeve ligjore nga vartësi i saj, Arlind Gjokutaj, tashmë i arrestuar, por nuk mori asnjë përgjigje.
Ndërkohë sot, kryetari i PD, Sali Berisha tha se ka dijeni se strumbullarja e këtij skandali është vetë ministrja.
“Kam të dhëna shumë të besueshme se ministrja ka qenë strumbullarja. Kjo është e vërteta. Ka qenë shtytëse kryesore.
Vetëm një gjë. Kërkon që të shihen dokumentet nëse kanë sigla apo jo.
Po të më pyesësh mua në zjarr se ajo ka qenë, e vë dorën në zjarr. Por kjo nuk mjafton pa treguar firmën apo dëshminë.
Por ajo ka qenë e pasionuar pas këtij problemi,” tha Berisha.
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj u arrestua para disa ditësh me akuzën se i ka shkaktuar shtetit 1.2 milionë euro dëm.
Sipas raportimeve mediatike, në vend të tij është emëruar Mimoza Dhëmbi, e cila mbante postin e drejtoreshës së buxhetit.