Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, i sinjalizuar për dyshimet e forta për vdekjen e Sheshit, dërgoi vëzhguesit e pavarur në institucionet përkatëse. Ai tha se, vëzhguesit e pavarur, gjetën në çdo institucion që trokitën bllokim dhe mashtrim.
“Pra, Enver Sheshi dinte shumë të fshehta. Kishte dëgjuar shumë. Veprimet i kishte kryer me garanci të madhe për mbrojtje.
Nuk jam këtu për të bërë nekropolitikë, jo!
Por, në çdo rast, vdekje në rrethana të dyshimta, akti i parë me ligje kombëtare dhe ndërkombëtare, është transparenca e plotë për të gjithë ndodhitë.
Çfarë ndodhi me Enver Sheshin? Bllokim total i një hetimi nga shoqëria civile.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit, i sinjalizuar për dyshimet e forta për vdekjen e Sheshit, dërgoi vëzhguesit e pavarur në institucionet përkatëse.
Vëzhguesit e pavarur, gjetën në çdo institucion që trokitën bllokim dhe mashtrim. Ata konstatuan se drejtori i burgut 313 nuk pranoi t’i lejonte ata të njiheshin dhe të merrnin të dhënat më elementare, madje as të këqyrin qelinë ku i ndjeri Enver Sheshi.
Nuk u lejuan të takojnë asnjë gardian, asnjë punonjës të burgut, as ata që vuanin dënimin së bashku me të.
Komiteti i Helsinkit gjeti të njëjtën situatë në Prokurorinë e Tiranës dhe Policinë e Shtetit”, tha Berisha.