Kryetari i PD, Sali Berisha, deklaroi në fjalën e tij në 32-vjetorin e themelimit të PD në Durrës, se themelimi i PD dhe vendosja e saj në krye, në udhëheqje të lëvizjes antikomunist, ishte një zhvillim i jashtëzakonshëm, për Shqipërinë dhe shqiptarët.
“Është një kënaqësi e madhe për mu t’ju përshëndes ju këtu, të përshëndes çdo qytetar të këtij qyteti të bekuar, të këtij qyteti të mrekullueshëm, të këtij qyteti që ka ndër kontributet më thelbësore në ekzistencën e këtij kombi dhe ekzistencën e këtij vendi.
Themelimi i PD dhe vendosja e saj në krye, në udhëheqje të lëvizjes antikomunist, ishte një zhvillim i jashtëzakonshëm, për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Cilido që rikthehet në atë kohë në memorien e tij, cilido që lexon sot për atë kohë, do të gjente se Shqipëria ishte përcaktuar të mbetej Kuba e Adriatikut, të mbetej fener ndriçues i socializmit shkatërrimtar.
Më 2 korrik, mijëra të rinj, me guxim epik, rrëzuan Murin e Berlinit në Tiranë. Por, në atë kryengritje paqësore, njeriu që luajti rol më kryesor ishte diplomati që kryente funksionet e ambasadorit gjerman, Verner Dol. Ai shkruan se qeveritë nuk ishin dakord, Shqipëria ishte parashikuar të mbetej siç ishte.
Natyrisht ai nuk dëgjoi qeveritë, ai ishte një diplomat i madh, që bëri gjithçka që shqiptarët t’i mbështesë në atë kryengritje.
Ju solla këtë episod për të treguar se në çfarë shkalle të mesme ishte izolimi i shqiptarëve dhe se çfarë rëndësie jetike pati revolucioni i udhëhequr nga PD”, u shpreh Berisha.