Nga Alba KEPI
Shpëtuam miq!
Shpëtuam shqiptarë!
Shpëtove Shqipëri!
6 milionë dollarë të paguara për qera nga qeveria shqiptare, kompanisë amerikane që lëshoi satelitët Albania 1 e Albania 2 do të arrestojnë të gjithë të korruptuarit, trafikantët, tendermenët, hajdutët, të kërkuarit, të avulluarit që s’i kapin dot nga toka , por që misioni në kozmos do t’i vejë pas hekurave!
Reforma e drejtësise do të realizohet nga ajri!
Edhe kësaj here me paratë e kombit u propagandua egoizmi no sens i një lidershipi që frymëzohet nga marketingu i vogëlsisë së shpirtit që aspiron të quhet “global”!
U tha e u bë!
Nuk ka rëndësi se c’do bëj, sa do hyjë në punë, sa prioritet kishte?!
E rëndësishme është që u paguan 6 milionë dollarë për një vrimë ose dy në ajër.
Ndodhi dhe kjo në këtë vend ku radarët anti gomone me drogë, fiken me urdhër ministrësh trafikantë e kokëdrunjtë e shumërkuar nga drejtësia, “përgjegjës” letrash në kompanitë që vjedhin miliona euro fonde publike, shëtisin nga një resort shqiptar në tjetrin.
Albania 1 e Albania 2 do të zbulojnë me nje ekzatësi gabimi vetëm 70 cm se ku e si po ngrihen kate pa leje! E kaq mjafton për të justifikuar 6 milionë dollarët e paguar nga populli.
Të qeshësh, të qash, o të mpirë nga absurditeti i një politike pushtetare që katet pa leje ia kanë zhdukur kryeqytetin e qytetet, ku kullat e drogës u kanë zënë dritaret e zyrave, ku uji vjen me orar, ku nuk ekzistojnë hekurudha, ku gatuhet me bombola gazi, ku batanija është ngrohja më besnike e darkave pa drita.
Sikur këto 6 milionë dollarë të ishin investuar për politika rinore, dhjetra mijëra të rinj shqiptarë nuk do zgjidhnin “satelitët” detarë për të ikur një orë e më parë nga ky pushtet pervers i komplekseve të dështimeve personale të një lideri provincial që s’mundi të bëhet kurrë global!