epa01427066 A Kosovar Albanian man shows his newly issued Kosovo passport in Kosovo's capital Pristina, 30 July 2008. New Kosovo Passports were issued after Kosovo has declared independence from Serbia on 17 February 2008. EPA/VALDRIN XHEMAJ

Ambasadorët e BE, dritë jeshile për liberalizimin e vizave për Kosovën

Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian u pajtuan të mërkurën për mandatin e Këshillit Evropian për të negociuar rregulloren për udhëtimin pa viza për qytetarët e Kosovës. Në bazë të këtij mandati, presidenca e Këshillit Evropian do të nisë negociatat me Parlamentin Evropian.

Ministri i Jashtëm i Republikës Çeke, Jan Lipavsky, tha se ky është një hap i rëndësishëm drejt vendosjes së udhëtimit pa viza për qytetarët e Kosovës.

“Tani besojmë se do të jemi në gjendje të arrijmë shpejt një marrëveshje me Parlamentin Evropian për ta shndërruar këtë premtim në realitet. Liberalizimi i vizave u mundësua nga përqendrimi i Kosovës në forcimin e mbrojtjes së kufijve, menaxhimit të migracionit dhe sigurisë. Ne kemi besim se ky bashkëpunim i mirë do të vazhdojë të zhvillohet edhe në të ardhmen”, tha zoti Lipavsky.

Lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë e mundur me hyrjen në fuqi të sistemit evropian të udhëtimit, ETIAS, që pritet të ndodhë më 1 nëntor të vitit 2023 dhe më së voni me 1 janar të vitit 2024.

Sistemi ETIAS nënkupton që qytetarët e huaj, të cilët udhëtojnë pa viza në Bashkimin Evropian duhet t’i regjistrojnë të dhënat e tyre në këtë sistem para udhëtimit.

Liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si zona Schengen, e që përbëhet prej 26 shtetesh evropiane.

Vendimi i sotëm u mor dhjetë vjet pasi Komisioni Evropian i dha Kosovës udhërrëfyesin për këtë çështje. Katër vjet më parë Komisioni Evropian rekomandoi liberalizimin e vizave për Kosovën ndërsa e përsëriti në tetor të këtij viti.

Pas pajtimit të ambasadorëve vendimi hidhet për votim në komisionin përkatës të Parlamentit Evropian, e pastaj edhe në seancë plenare. Pas kësaj ministrat e vendeve anëtare në Këshillin Evropian duhet ta konfirmojnë vendimin. Me këtë do t’i hapej rrugë hapit të fundit, që është botimi i vendimit në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian, me ç’rast caktohet edhe data e hyrjes në fuqi të vendimit.

Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk e kanë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Schengen.

About Redaksia

Check Also

Shifra e tmerrshme, OBSH: 160 fëmijë vriten çdo ditë në Gaza

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha sot se mesatarisht rreth 160 fëmijë po vriten çdo …

Leave a Reply