Kryetari i PD, Sali Berisha, në diskutimin me qytetarët në rrjetet sociale, komentoi edhe mbledhjen mes dy Kuvendeve, atij të Shqipërisë dhe të Kosovës.
“Mbledhja e dy Kuvendeve, në çdo rrethanë tjetër përveç kësaj, do ishte e mirëpritur. Por Edi Rama do preferonte më shumë që parlamenti i Kosovës të mblidhej në parlamentin e Serbisë. Ky është një përvjetor dhe unë do i them fjalët e mia në aktivitetin e përbashkët. Me këtë rast i përshëndes deputetët e Kosovës. Rama është një vasal i Vuçiçit të tij. Nuk mund të paraqitet si patriot apo atdhetar, por si një armik i vendosur i pavarësisë së Kosovës dhe ardhmërisë së saj në BE”, tha Berisha.
Berisha komentoi edhe pyetjen nëse do bashkohen shqiptarët.
“Ëndrra e shqiptarëve për bashkim është ëndrra më fisnike e tyre. Dhe në këtë kontekst, duhet ta konsiderojmë atë një proces, në sensin që nëse 30 vite më parë, shqiptarët nuk ishin të lirë në asnjë territor, sot shqiptarët janë të lirë. Por, a është bërë sa duhet që shqiptarët t’i bëjnë të parëndësishëm kufijtë e tyre? Unë mendoj se është bërë regres në këtë drejtim, pasi po të marrim sot ecurinë e marrëdhënieve të 9 viteve të fundit me Kosovën, ajo është në vendnumëro për të mos thënë se ka prapakthehu. Pra, procesi i bashkimit është një proces kompleks, në të cilin ka shumë punë për të bërë. Natyrisht finalizimi në një shtet të vetëm është ëndrra sublime e shqiptarëve, por kjo në përputhje me proceset integruese evropiane dhe fqinjësinë e mirë me të gjitha vendet”, tha Berisha.
Ndërkohë, i pyetur se me cilin ekip bën tifozllëk në këtë Botëror të futbollit, Berisha tha: “Jam me ekipin që fiton, përveç Serbisë”. Ai shtoi se nuk është me ekipet e vendeve armiqësore.