Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për shpenzimet e shfrenuara të Kryeministrit Edi Rama me avionët Charter. Janë bërë137 fluturime që kushtuan gati 22 milionë euro!
Grupi i PD-së është mbledhur në një takim sot në mesditë, të cilën e hapi kryetari i grupit, Luçiano Boçi. Ai e nisi fjalën duke kujtuar rastin e vrasjes shtetërore të të riut Lear Kurti dhe atentatin me një të vdekur që ndodhi edhe mbrëmë në Tiranë. Boçi po ashtu përmendi protestën e pedagogëve, e cila po përshkallëzohet dhe tha se Rama po i le shqiptarët nën tmerrin e krizës, në detin e gomoneve dhe vetë nuk ndalet në luksin e shfrenuar.
“Vrasja shtetërore e Lear Kurtit nga policia e Ramës në vazhdën e vrasjeve të tjera si dhe përpjekja e policisë për të fshehur ngjarjen dëshmojnë saktë se kush është kundër qytetarit, jetës së tij, sigurisë së tij dhe mirëqënies së tij. Dhe se kush është pranë tij dhe interesit të tij.
Ndërkohë, përsëri mbrëmë krimi ka treguar fuqinë e tij përballë një pushteti të gjunjëzuar dhe atrofizuar dhe një qeverisje të korruptuar dhe të inkriminuar. Në vend që të zgjedhë dialogun me pedagogët, Rama ka vazhduar me kërcënimet, shantazhimet e tij dhe PD vazhdon të jetë në mbështetje të protestës, grevës së pedagogëve dhe do qëndrojnë pranë tyre deri në finalizimin e kërkesave të tyre që nuk janë thjesht financiare, por janë për dinjitet dhe për një universitet publik me kërkim shencor dhe punë të mirë akademike.
Ndërsa shqiptarëve Rama i kërkon të ngrohen në diell për të kursyer energjinë, ju tund atyre në formë kërcënimi tmerret e krizës dhe të luftës. I lë në det të hapur, në fatin e gomoneve dhe vet nuk ndalet në luksin e shfrenuar. Sipas të dhënave të TIMS, Rama ka fluturuar plot 137 herë duke djegur në ajër 22 milion euro të shqiptarëve.
Për këtë arsye, grupi ynë parlamentar do të dorëzojë menjëherë kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor për këtë çështje për zbardhjen e kësaj afere korruptive për të zbuluar para shqiptarëve fytyrën e vërtetë të korruptuar të regjimit. Me këtë kërkesë do të kërkoj mbështëtjen jo vetëm të deputetëve që janë këtu, por të të gjithë deputetëve. Dhe çdo tentativë për ta penguar këtë komision do të konsiderohet si tentativë për të fshehur të vërtetën para shqiptarëve”, u shpreh Boçi.