Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u tregua i ashpër sot pasi u pyet për dy iniciativat që janë në Kuvend lidhur me përjashtimin e kryetarëve të partive që kanë bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit. Duke folur në një konferencë për shtyp, ai bëri një paralajmërin edhe për ata që do të prekin votat.
“Ligjet që bën djali i Kristaqit, Edvin Kristaq Rama, ligjet që bën nipi i Spiro Kolekës, unë me tolerancën më të madhe do t’ia fus atje ku e shijon më shumë ai. Të gjithë ata që mendojnë se do ekzekutojnë pluralizmin politik, do të kenë fatin e Musolinit dhe Klaretës, dashnores së Musolinit.
Parlamenti i Tiranës sa të mblidhet i ka gati 10 komisione hetimore dhe 1 komision është për Bashkinë e Tiranës që ka të bëjë me korrupsionin e dosjeve. Sa i takon Ram-bashistëve, vrimë miu nuk do të ketë për ta. E di Rama që unë i mbaj premtimet.
Piktori i Sigurimit të Shtetit, Edvin Kristaq Rama duhet ta dijë shumë mirë që do të përgjigjet deri në një për shkeljet e ligjit. Ai e di, por e bën që të trimërojë të tjerët, do t’i përdorë siç përdori Sajmirin, Lefterin dhe Alqin”, tha Meta.
Meta u shpreh se mashtrimet e bëra nga Autoriteti i Dosjeve, kanë lënë gjurmë e prova që kurrë nuk fshihen.
“Do t’i shikoni të gjitha. Edi Rama o lepurush, që të ishte bashkëpunëtor e di shumë mirë ti si duhej të ishe. Edhe të përgjoje, duhet të të jepte dikush përgjuesin o lepurush që merr mendjen e A.H., që do përfundojë më keq se Klareta. Kur të kesh kohë, vij unë edhe me atë personin që kish hall ti që e kisha spiunuar unë. Duhet të vish në çdo studio e do marrësh edhe punonjësin e sigurimit me gjeneralitetet tona e ti i dashur Edi Rama ke të drejtë të kërkosh çdo gjë nga Meta”, tha ai.