Nga Fjoralba Dizdari
Norma vjetore e inflacionit në Shqipëri u rrit në 8.1 për qind në shtator 2022 nga 8 për qind në muajin e kaluar, më e larta që nga dhjetori i vitit 1998. Kostoja e ushqimit në Shqipëri u rrit me 14.90 % në gusht 2022 krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë. Rreth 42% e shpenzimeve mujore të familjeve shqiptare shkojnë për ushqime dhe pije, shumë mbi mesataren europiane prej 13%, sipas të dhënave të INSTAT.
Në total, një familje mesatare shqiptare shpenzon 34 934 lekë për ushqime dhe pije joalkoolike. Kjo është e barabartë me 41.3% të të ardhurave totale mujore të tyre. Një tjetër 10% shpenzohet për shpenzimet e strehimit duke përfshirë faturat e ujit dhe energjisë elektrike, mirëmbajtjes, të shërbimeve dhe rreth 7 % për produkte të ndryshme shtëpie. (Buxheti i familjes i 2021)
Për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore, familjet shqiptare kanë rritur konsumin e bukës dhe mishit të pulës, ndërsa ka rënë përdorimi i mishit, sallamit, vajit dhe bulmetit. Kompanitë pohojnë se rënia e konsumit ka arritur deri në 40% krahasuar me vite më parë duke sinjalizuar qartë inflacionin dhe probleme ekonomike të mëdha.
Edhe në lokale e restorante këtë vit po konsumohet më pak. Bizneset po kërkojnë ulje taksash, pasi tkurrja e konsumit, pritet të sjellë falimentime dhe shkurtime të vendeve të punës.
Në këtë periudhë konsumi është ulur për produktet e shportës, duke u luhatur nga 15 në 40% më pak krahasuar me vitet paraardhëse. Kompanitë kryesore prodhuese dhe importuese në vend pohojnë se arsyet kryesore të tkurrjes së konsumit janë rritja e çmimeve për shkak të rritjes së kostove dhe emigrimit masiv të popullsisë, kryesisht të rinjve.
Sipas INSTAT, paga mesatare bruto mujore për një rrogëtar punonjës, gjatë tremujorit të dytë të 2022 është 60 666 lekë, ndërkohë që të ardhurat nuk janë rritur në të njëjtat tarifa si çmimet.