Nga Elona CASLLI
“”Faktori ndërkombëtar lejon kandidimin e një kandidati për burg si kryebashkiak për Tiranën, por nuk do ta lejonte kurrë fitoren e këtij të fundit nëse kandidati i Opozitës do të ishte “Grata’ “”
Në paradhomën e zgjedhjeve vendore përballesh me një shumëllojshmëri arsyetimesh që shpeshherë të bëjnë të qeshësh.
Erion Veliaj përgatitet të kandidojë për herë të tretë për bashkinë e Tiranës. Nuk ka njeri në këtë vend që nuk e di se Veliaj është kandidat për burg, por kurrsesi kandidat për bashkinë e kryeqytetit.
Faktori ndërkombëtar ka filluar si gjithmonë të lëshojë udhëzimet mbi kandidatin e kampit opozitar, pasi ka miratuar njëzëri që kandidati për burg Veliaj të konvertohet në kandidat për bashkinë e Tiranës.
Një nga udhëzimet e faktorit ndërkombëtar është që emri i kandidatit të vijë nga ai segment i opozitës i cili është distancuar nga etiketa “Non Grata”; pra nga Alibeaj dhe të tjerë.
Në një garë hipotetike do të kishim kandidatin për burg Veliaj përballë kandidatit të zgjedhur nga segmenti opozitar që është distancuar nga etiketa “Non Grata”.
Po shkoj larg me fantazinë dhe po hamendësoj se i gjithë kampi opozitar i bindet kandidaturës së përzgjedhur nga grupi i Alibeajt.
Çfarë do të ndodhte?! Do të bëheshin zgjedhjet dhe një ditë pas tyre faktori ndërkombëtar do të shprehej se zgjedhjet vendore kishin probleme, por kishte përmirësime në raport me zgjedhjet e tjera.
Do t’i jepnin dorën Veliajt dhe do të bënin foto me të dhe historia do të mbyllej këtu.
Për sa kohë Faktori Ndërkombëtar konverton një kandidat për burg në një kandidat për bashkinë e kryeqytetit, ka certifikuar paraprakisht fitoren e tij.
Etiketa “Non Grata” sikundër u përdor si alibi për të përligjur mandatin e tretë të Edi Ramës, do të përdoret si alibi edhe për të përligjur mandatin e tretë të Erion Veliajt.
Post Scriptum- Kandidati për burg nuk mund të jetë kandidat për bashkinë e kryeqytetit me miratimin e Faktorit Ndërkombëtar. Këtu fillon dhe mbaron argumenti.