Pas Policisë së Shtetit edhe Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka deklaruar se listat e publikuara sot nga hakerat iranianë me gjeneralitetet dhe fotot e personave me shtetësi shqiptare nuk janë pjesë e bazës së të dhënave të sistemit MEMEX. Ai shtoi se hetimet po vijojnë bashkë me Microsoft dhe FBI.
Por ajo çka e bëntë të dyshimtë deklaratën e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, është fakti se ata nuk tregojnë se nga kanë dalë këto të dhëna mjaft sensitive.
105 mijë persona, pjesë e kësaj liste ku dyshohet se janë kontigjentë nën vëzhgimin e policisë pasi kanë kryer vepra penale, nëse nuk është e vërtetë, atyre po iu cënohet identiteti.
“Lista që është publikuar e them me garanci të plotë që nuk është databaza e sistemit Memex që ka policia kriminale. Ju e dini që na kanë sulmuar. Jemi në hetim, kemi një trupë shumë të mirë nga Microsoft që do rrinë këtu përgjatë.
Sistemet do rikuperohen të gjitha. Kemi rikuperuar shumë sisteme në kohë rekord. Ka pasur edhe spekulime. Lista që është publikuar sot nuk është pjesë e databazës së sistemit Memex. Po hetojmë bashkë me FBI”, ka deklaruar ministri Çuçi teksa po hynte në Kuvend për të marrë pjesë në seancën e sotme.