Nga Elona CASLLI
Në këtë vend duhet të ekzistojë një ditë që duhet të quhet ” Një ditë pa mjekë”.
Sikundër ekziston ‘ Dita pa makina” sipas firmëtarit të inceneratorëve duhet të ekzistojë edhe ” Dita pa mjekë”.
Vetëm ” Dita pa mjekë” do të ndërgjegjësonte shoqërinë shqiptare për vlerën që ka mjeku në një shoqëri.
Imagjinoni për një çast mbylljen e urgjencës. Po marr shembullin më të thjeshtë. Urgjenca është mbyllur. Ku do të përplaseni?! Nuk ka asnjë mjek.
Njeriu i aksidentuar, i helmuar, apo gruaja në prag lindjeje çfarë do të bente?! Do të humbnit familjarin tuaj në ditën pa mjekë dhe do ishit gati të shisnit gjithçka kishit për t’ia dhënë një mjeku që ta kuronte familjarin tuaj. Asgjë nuk do t’ju hynte në sy para shëndetit të familjarit, apo jo?!
Të pretendosh se lufton korrupsionin në mjekësi duke arrestuar një mjek sikur të ishte një vrasës, do të thotë të bësh një kronikë propagande më shumë dhe të mbjellësh një frymë terrori te bluzat e bardha.
Të pretendosh se lufton korrupsionin duke i dhënë një çimkë një polici për të provokuar një mjek, do të thotë t’u japësh mesazhin shqiptarëve se me një çimkë në xhep dhe me një provokim drejtësia vihet në vend.
Çimkat kanë qenë gjithmonë mallkimi i këtij vendi dhe drejtësia nuk mund të vijë kurrë përmes tyre.
Nuk e lufton arrestimi i një mjeku korrupsionin në shëndetësi. Korrupsioni në shëndetësi luftohet duke i kthyer dinjitetin e munguar mjekut përmes pagës dhe kushteve ku punon. Pasi t’i jetë rikthyer ky dinjitet, ulet pashmangshmërisht edhe shkalla e korrupsionit.
Rilindja nuk e synon këtë. Rilindja ka veç një qëllim që mjekun ta servirë si hero në kohë pandemie dhe si vrasës apo rrugaç në kohë jopandemie.
Rilindja përmes arrestimit mediatik të mjekut, ose më saktë përmes shfaqjes së burrave me kapuça të zinj që tërheqin një mjek njësoj sikur të ishte një vrasës apo bos droge, do të japë mesazhin se Sistemi i Shëndetësisë është i mirë, por mjekët janë të këqinj. Kjo bën që mjeku të shihet si armik, ndërkohë që si mjeku dhe pacienti janë thjesht viktima të mirëfillta të një sistemi të kalbur në shëndetësi.
Paradoksi qëndron se shoferi i Maringlen Qatos në Bashkinë e Tiranës që u kap me drogë dhe armë në makinën e institucionit, nuk u shfaq në media kurrë si punonjës i bashkisë, por thjesht si shofer nè një institucion tejet të rëndësishëm. Gjatë arrestimit fytyra e tij ishte e mbuluar. Televizionet në vend nuk e shqiptuan në asnjë çast Bashkinë e Tiranës dhe madje as në deklaratën e policisë nuk përmendej institucioni.
Krejt e kundërta na ndodh me mjekun. Ai shfaqet me identitet të plotë, me fytyrë të zbuluar dhe me të dhëna të plota.
Arrestimi i bujshëm i mjekut ka ndikuar në gjendjen e tij shëndetësore dhe kjo është një plagë më shumë në vetëdijen e një shoqërie që e trajton mjekun si shpërndarës droge dhe shpërndarësin i drogës si mjek gjatë arrestimit.
Post Scriptum- Një ditë pa mjekë do të ishte dita që do të rikthente përfundimisht në vend dinjitetin e munguar të mjekëve.