Kryetari i PD, Sali Berisha, e nisi konferencën e sotme për shtyp duke uruar edhe njëherë fitoren e koalicionit të djathtë në Itali. Berisha tha se, sot, Italia është në një moment historik. Meloni, sipas votës së qytetarëve italianë, do jetë kryeministrja reformatore e ardhshme e Italisë.
“Në Itali, fituan Georgia Meloni, Mateo Salvini, Silvio Berluskoni, aleatët tanë tradicionalë.
Sot, Italia është në një moment historik. Meloni, sipas votës së qytetarëve italianë, do jetë kryeministrja reformatore e ardhshme e Italisë.
Fitorja e zonjës Meloni dhe koalicionit që ajo udhëhoqi, është fitore e vlerave konservatore më të arrira të shoqërive të lira, fitore e lirisë, familjes, atdhetarisë dhe atdheut.
Meloni është një euro-atlantiste e vendosur. Ajo ka përkrahur plotësisht qëndresën e kombit ukrainas për liri, dënuar agresionin barbar rus ndaj Ukrainës, ka qëndruar në anën e NATO dhe SHBA në këtë betejë.
Georgia Meloni pa diskutim ka një begraund dhe vokacion të qartë europeist, në favor të BE-së.
Natyrisht, vlerat në të cilat ajo beson, janë vlera që gjithnjë e më shumë po triumfojnë në Europë.
Kështu që me këtë rast, unë i uroj zonjës Meloni, atë post për të cilin e votuan qytetarët italianë, dhe suksese të tjera të mëdha”, u shpreh Berisha.