Kryetari i PD, Sali Berisha, deklaroi në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD se kryeministri Edi Rama është avokati më i madh i Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.
Më tej kryedemokrati Sali Berisha tha se Edi Rama justifikon rreshtimin e Vuçiçit në krah të Rusisë dhe kundër sanksioneve të BE-së.
“Të dashur anëtar dhe anëtare të Këshillit Kombëtar. Kjo mbledhje bëhet në një moment jashtë zakonisht kritik për vendin, shoqërinë dhe kombin shqiptar.
Siç ndiqni situatën, Edi Rama, çdo javë, muaj, zhytet gjithnjë e më thellë në vasalitet të plotë ndaj presidentit serbomadh Aleksandër Vuçiç dhe Beogradit.
Në rast se ju merrni diskurin e tij të muajit të fundit, në këtë diskur njeriu më të mbrojtur, më të cituar në rajon, Europë, Botë në fjalimet e Ramës do të gjeni Vuçiçin.
Ky vasal i tij kalon nga samiti në samit, nga takimi në takim, duke mbrojtur një Putin të vogël në rajon, duke i dhënë këshilla Europës dhe botës, duke justifikuar plotësisht rreshtimin e Vuçiçit me Rusinë dhe kundër sanksioneve të BE-së, duke i paraqitur kërkesën për zbatimin e sanksioneve nga Vuçiçi si një kërkesë të rrezikshme për paqen e rajonin.
E vërteta është se prapa mbrojtjes që i bën Rama aksit Moskë-Beograd, qëndron vasaliteti i tij ndaj Beogradit dhe indirekt ndaj Moskës. Qëndron shkelmimi që ai u bën interesave kombëtare të shqiptarëve”, deklaroi Berisha.