Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili deklaroi në ambientet e jashtme të Kuvendit se shpifjet që lidhen me Ilir Metën, janë manipulime nga Autoriteti i Dosjeve për t’i shërbyer mazhorancës me në krye Edi Ramën. Vasili kujtoi vjedhjen e shekullit duke iu referuar aferës së inceneratorëve, për të cilën tha se drejtësia herët a vonë do të veprojë kundër qeverisë.
“Parlamenti nga kryetari është kthyer në një vend ku promovohen vetëm palaçollëqe antiligjore, dhunohet e shkelet ligji, luftohet me çdo kush për të manipuluar e shpifur. Afera e fundit e Autoritetit të Dosjeve, është një zero e madhe, një turp i madh.
Ka pasur fjalë të përgjithshme vetëm e vetëm për të shmangur vëmëndjen nga afera e inceneratorëve.
Shpifjet e manipulimet që lidhen me Metën, janë jo vetëm të pështira, por e tmerrshme është rënia e shtetit. Autoritet Dosjesh që kriminalizon, shpif e manipulon duke shkelur ligjin e normat për t’i shërbyer sekondave politike të mazhorancës.
Kjo ka të bëjë me vjedhjen e shekullit të inceneratorëve, vjedhje në tatimet, doganat e Shqipërisë. Kjo bandë hajdutësh e vjedhësish mund ta bëjë”, tha Vasili.