Kryetari i PD tha se, e vetmja betejë që u bë në vitin 2021 ishte kundër Sali Berishës dhe për të qeverisur së bashku Rama me pengun e tij, Lul Basha.
“Në vitin 2021 nuk u bë asnjë betejë për atë që u shpall masakra elektorale. E vetmja betejë që u bë, u bë projekti për të qeverisur së bashku.
E vërteta në mënyrë absolute. E vetmja betejë, ishte, meqenëse e doni, kundër Sali Berishës dhe për të qeverisur së bashku Rama me pengun e tij, Lul Basha. Jo, nuk u bë betejë, jam dëshmitar i kësaj.
Ne bëmë këtë si një detyrim ndaj të gjithë zgjedhësve se do ishte hipokrizi dhe e pafalshme që të mbulosh humbjen elektorale me të pavërteta dhe deklarata politike.
Do të ishte një tradhti ndaj votës së lirë dhe pluralizmit.
Ne qëndruam dhe kemi argumentuar sot se vota e shqiptarëve, sipas këtij raporti, u kontrollua në të katër anët e vendit.
Vota e kontrolluar është votë e vdekur.
Vota e kontrolluar nuk është votë e lirë.
Detyra më e rëndësishme, misioni më i madh i opozitës është të garantojë 2025-ën.
Votë të lirë për shqiptarët dhe me Edi Ramën nuk ka votë të lirë.
600 mijë qytetarë shqiptarë, me të gjithë këto faktorë që numërohen në këtë raport, nuk u mposhtën, nuk iu nënshtruan diktatit të qeverisë, por votuan kundër saj.
Opozita do punojë fort me këta 600 mijë idealistë që të luftojmë dhe sakrifikojmë për rikthimin e votës së lirë në Shqipëri”, tha Berisha.
