Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë ka bërë të ditur se Milan Radoiçiq është arrestuar sot dhe se i është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë.
“Më 3 tetor 2023, zyrtarët policorë të Drejtorisë së Policisë Kriminale kanë bastisur banesën dhe pronat tjera të Milan Radoiçiqit, i cili do të mbahet deri në 48 orë”, njofton MPB e Serbisë, shkruajnë mediat në Serbi, përcjell Telegrafi.
Ata shtojnë se ai është dërguar në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd me kallëzim penal.
Radojiçiq pranoi publikisht se ka marrë pjesë në sulmet ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku është vrarë një zyrtar policor.
Ai ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila mbështetet nga Beogradi.
Ndryshe, Policia e Kosovës u sulmua me armë zjarri më 24 shtator, nga një grup terroristësh serbë, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Ndërkaq nga gjuajtjet me armë zjarri, Policia vrau tre pjesëtarë të grupit terrorist.
Sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës është dënuar fuqishëm nga SHBA, BE dhe vendet e rajonit, ndërsa autoritetet në Kosovë janë zotuar se përgjegjësit e sulmeve terroriste do të dalin para drejtësisë.
Siç kujtojnë mediat në Serbi, përcjell Telegrafi, më 30 shtator, Radoiçiq iu përgjigj ftesës së autoriteteve shtetërore të Republikës së Serbisë dhe në cilësinë e qytetarit dha deklaratë në Ministrinë e Punëve të Brendshme për ngjarjet në Banjskë, më 24 shtator, në veri të Kosovës.