Berisha është lideri i PD, njeriu që mund ta mposhtë Ramën!

Nga Balil GJINI

Ka diçka të bezdisshme në ligjërimet e Alibeajt: me sa duket kjo vjen nga nevoja për të ngritur zërin te fjalë të veçanta, për t’i theksuar ato. Është orvatja e çekiçit për ngulur gozhdë në një faqe të lëmuar muri. Një ligjërim me ide s’ka nevojë të thërrasë në ndihmë gjëra artificiale. Mendja përqëndrohet vetiu tek to. Shtoju këtyre, pastaj edhe gjestikulacionet e tij: duart, koka, trupi. Vetëm ky fakt e përjashton atë nga mundësia për të qenë lider

PD-ja e Alibeajt është hija e partisë së Berishës. Hijet janë fantazma e jetojnë si të tilla. Ato mund t’i mbështjellësh e t’i futësh në çantë, mund të lumturohesh kur i sheh si zgjaten në mëngjes dhe si shkurtohen pastaj në mesditë. Hijet mund t’i ushqesh me tagji që rritet në fushat e imagjinatës. Mund të kemi shumë vërejtje për frymën autoriste të Berishës, por ai, për shumë e shumë fakte, është lideri i PD-së, njeriu që mund ta mposhtë Ramën.

Alibej dhe të tijët thonë se ai është nongrata. Kaq? Ç’u bënë kaq e kaq vite admirim, kaq e kaq vite punë e përbashkët? Si mund të hidhet tjetri në greminë vetëm pse do Amerika? Nëse Amerika s’e thotë korrupsionin e Berishës, le të na i thotë Alibeaj me të tijtë. Kështu kanë mundësi të na bindin edhe ne.

Edhe unë do të doja që Berisha ta jepte dorëheqjen. Por në këto rrethana s’ka si e bën. Tek e fundit ai është një tetëdhjetë vjeçar. Gjithmonë te ne koha ka bërë atë që s’e kanë bërë dot njerëzit. Berisha është i vetmi që mund ta mundë Ramën. Grupimi i Alibeajt përballë autoblindës së pushtetit duket si një tabor karkalecash të përhimtë që janë nisur për luftë me të vetmet armë që kanë: kthetrat e tyre.

About Redaksia

Check Also

Historia përsëritet në mënyrë spirale

Nga Redin HAFIZI Kjo qeverisje është kthyer në bërthamën e një regjimi që po kap …

Leave a Reply