Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, ju protestoni sot këtu jo vetëm për 750 mijë zgjedhësit që votuan për opozitën dhe kundër Edi Ramës, por ju protestoni për çdo shqiptar.
“Me këtë protestë, në të cilën ju nuk protestoni për disa deputetë të PD-së, nuk protestoni as edhe për PD-në, por ju protestoni sot këtu jo vetëm për 750 mijë zgjedhësit që votuan për opozitën dhe kundër Edi Ramës, por ju protestoni për çdo shqiptar, që ka në vetëdijen e tij idealet e lirisë.
Ju jeni këtu për çdo shqiptar dhe protestoni për çdo shqiptar se parlamenti duhet të jetë tempulli i demokracisë dhe jo bunkeri i fjalës së ndaluar.
Ju protestoni për çdo shqiptar, i cili beson se aty në parlament, ata që përfaqësojnë opozitën janë për t’ia thënë të vërtetat në sy qeverisë, qoftë edhe qeveria e tyre, por të cilën nuk e kanë votuar për të vjedhur dhe abuzuar dhe shkelmuar fjalën e lirë.
Ju protestoni për të gjithë shqiptarët që dëgjojnë për një mori aferash dhe duhet të dinë të vërtetën e vjedhjeve.
Ju protestoni për të gjithë ata shqiptarë, që shkëpusin nga vetja bijtë e zemrës dhe i nisin për në dhera të huaj, për në pasiguri.
Ju protestoni sot për të gjithë ata shqiptarë, që duhet të besojnë se Shqipëria është një vend i bekuar, se Shqipërinë mund ta bëjnë shqiptarët”, tha Berisha.