Ish-shefja në kabinetin e zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj, Alda Klosi, e cila ra pre e grabitjes nga nënë e bir, Rozeta dhe Havier Dobi, do të merret sërish në pyetje nga prokuroria. Mësohet se ajo ka dhënë dorëheqjen nga posti që mbante në Kryeministri 5 ditë pasi ka ndodhur grabitja në shtëpinë e saj.
Klosi është pronare e dy apartamenteve në Shëngjin me sipërfaqe 94 m2 dhe dhe 42 m2. Nga të dhënat e siguruara, është bërë pronare e pasurive në tetor 2021 me kontratë dhurimi. Nuk dihet se kush dhe në çfarë rrethanash dy apartamentet i janë dhuruar Klosit dhe se kush është personi që ka vendosur t’i bëjë një dhuratë të tillë.
Alda Klosi është bashkëpronare me Altin Klosin, të vëllanë e saj, me të cinin ka një apartament 72 m2 në Tiranë si dhe i një tjetër apartamenti 47 m2 në Tiranë. Ish-zyrtarja e shtetit është gjithashtu bashkëpronare e një tjetër apartament në Tiranë me sipërfaqe 50 m2. Gjithashtu, Klosi është bashkëpronare edhe e dy sipërfaqeve trualli në Tiranë 216 m2 dhe 160 m2. Për të mbyllur, ka në pronësi edhe një makinë të tipit Toyota RAV4, e vitit 2013.
Mbetet për t’u parë nëse Alda Klosi i ka deklaruar paratë që mbante në banesë dhe bizhuteritë pranë ILDKPKI si subjekt i deklarimit të pasurive, si dhe pasuritë e paluajtshme në Shëngjin dhe Tiranë. Dosja.al ka bërë një kërkesë zyrtare për informacion pranë institucionit për të mësuar më shumë detaje, por ende nuk ka një përgjigje lidhur me rastin në fjalë.
Vetëm dy ditë më parë u zbulua një megavjedhje ku Rozeta Dobi, pastruese bashkë me të birin, Havierin vunë në shënjestër dhe vodhën mbi 540 mijë euro, plus një sasi të konsiderueshme florinjsh dhe sendesh me vlerë. Banesa që solli zbulimin e dyshes ishte ajo e këshilltares në Kryeministri, Alda Klosi, njëherazi ish-shefe e Kabinetit të ish-ministrit të Rindërtimit, Arben Ahmetaj. Ata vodhën te shtëpia e Klosit 120 mijë euro lekë dhe florinj. Por kjo vjedhje ka shërbyer si një shkëndijë për një tjetër çështje. Atë të burimit të parave të vjedhura. Në dëshminë e saj për mediat, Klosi thotë se paratë i kishte mbledhur për kurimin e xhaxhait ndërsa për to nuk ka asnjë faturë./Dosja.al