Në Shqipëri ambasadorja amerikane Yuri Kim duket të ketë dyshime mbi procesin që pritet të çojë në zgjedhjen e drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ndërsa një ditë më parë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi tre kandidaturat, Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili, sot ajo, përmes një postimi në Tëitter nënvizoi nevojën që procesi të jetë “transparent” dhe “i pamanipuluar” duke lënë të kuptohet për përpjekje të mundshme për ndërhyrje në përzgjedhjen e drejtuesit të ardhshëm.
“Tani që janë konfirmuar kandidatët për kreun e ardhshëm të Prokurorisë së Posaçme, është thelbësore që procesi të jetë transparent, në mënyrë që drejtuesi i ardhshëm, së pari, të zgjidhet në bazë të kualifikimeve dhe rezultateve të arritura, dhe së dyti të jetë i aftë dhe i vendosur për të intensifikuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, shkruan ambasadorja.