Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka paralajmëruar se me projektin e ri të Portit të Durrësit mund të ketë pasoja katastrofike për ekonominë e vendit. Në një konferencë për mediat Meta tha se, pjesë e këtij projekti është bërë dhe një kompani tjetër nga Dubai, offshore.
“Nuk ka asnjë informacion apo transparencë që do të parandalonin dëmet e mln euro për qytetarët shqiptarë. Në 27 tetor, sipas akteve të qeverisë na shfaqet si investitorë dhe një kompani tjetër me bazë në Dubai e themeluar në 2015-ën, një kompani offshore. Është e qartë se kjo është aferë tipike mafioze kundër interesave kombëtare, strategjike edhe në drejtim të sigurisë kombëtare dhe të pozitës së Shqipërisë sa i takon rolit të saj sa i takon zhvillimit ekonomik të gjithë rajonit. Është aferë që mund të rezultojë me pasoja katastrofike për vendin dhe për mungesën e zhvillimit të së ardhmes dhe për vetë financat publike. Ndaj PL do të investojë më tej dhe do të bëjë përgjegjëse çdo autoritet”, tha Meta.
Meta deklaroi se, skandali me aferën e portit të Durrësit po thellohet.
“Vazhdon të thellohet skandali i portit të Durrësit. Dali në pah dhe lidhjet e kryeministrit për të bllokuar transparencën. Zoti Vasili ka bërë disa pyetje muaj më parë.
Ende sot pas gati 3-4 muajsh nuk ka asnjë përgjigje dhe asnjë llogaridhënie me këto pyetje. A është dhënë statusi kompanisë? Cila është kompania? Në memorandumin e përmendur nuk është EMAR group. Cilat janë masat garantuese që porti i Durrësit mos të sekuestrohet nga bankat vendase”, tha Meta.