Qeveria fsheh bilancin e fluturimeve të Ramës me charter

Raporti ndërmjet kompanisë ‘Air Albania’ dhe kryeministrit Edi Rama duket si një histori ku ndërthuren favore të ndërsjellta në dëm të interesave publikë dhe të ardhurave shtetërore.

Grupi ‘Homeland Justice’ zbuloi ditën e djeshme se, kryeministri Rama ka kryer një numër të lartë fluturimesh me avion ‘charter’ të kompanisë ‘Air Albania’, të emërtuar ‘Ismaili’.

Sipas ish-kryeministrit Sali Berisha, çdo fluturim kushton rreth 150 mijë euro, ku llogariten kostot e karburantit, parkimit, shërbimit në avion e taksa fluturimi.

Ndërkohë, Edi Rama i kundërshtoi këto deklarata nëpërmjet një qëndrimi politik, por pa asnjë sqarim mbi dyshimet për abuzime financiare.

Në janar të vitit 2020, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare dhe kompania ‘Air Albania’ nënshkruan një kontratë, në bazën e të cilës Rama siguroi një avion personal për udhëtime pune, si kryeministër, por edhe si Ministër i Jashtëm në atë kohë.

Kontrata ka detaje të ndryshme për mënyrën e bashkëpunimit, por mungon detaji kryesor-çmimi që do të paguajë Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për udhëtimet.

Sipas marrëveshjes, avioni në dispozicion të Ramës do të jetë i tipit Air-Bus 319 me 35 vende.

Një kërkim i kryer nga ‘Syri Televizion’ në Thesarin e Shtetit, zbuloi se nuk është raportuar asnjë pagesë në funksion të kësaj kontrate, duke mbajtur të fshehtë shpenzimet e qeverisë për dhjetëra udhëtimet e Ramës në bordin e çarterit ‘Ismail’.

Nga ana tjetër, kompania ‘Air Albania’ rezulton që prej tre vitesh nuk dorëzon bilancet tregtare në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Në faqen e QKB-së, në krah të kompanisë së fluturimeve qëndron shënimi ‘Subjekti nuk ka depozituar pasqyrat financiare vjetore raportuese, mbajtja e të cilave sipas ligjit është e detyrueshme’.

Në situate të ngjashme, Qendra Kombëtare e Biznesit dhe administrata tatimore veprojnë me gjobitjen dhe pezullimin e aktivitetit tregtar të kompanive, deri në plotësimin e detyrimeve ligjore.

Por, në rastin e ‘Air Albania’, institucionet qeveritare janë treguar pasive, duke lejuar funksionimin e saj, megjithëse është në shkelje të ligjit.

Një muaj më parë, Qendra Kombëtare e Biznesit pezulloi për disa ditë aktivitetin e ‘Air Albania’, pasi ajo nuk kishte plotësuar formularin e pronarëve fundorë.

Me plotësimin e këtij detyrimi minimalist, ‘Air Albania’ u rikthye aktive. Por, për fshehjen e bilanceve, pra për thelbin e aktivitetit financiar, qeveria është shumë tolerante, duke mos vendosur asnjë masë penalizuese ndaj shoqërisë së fluturimit, që i jep çarterin Edi Ramës. /Syri.net

About Redaksia

Check Also

Veliaj në Iran, vizita sekrete, si u maskua dhe shërbimet partnere

Erion Veliaj u tërhoq sot nga padia që kishte bërë ndaj Kryetarit të PD, Sali …

Leave a Reply