Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, kërkesat e pedagogëve për rritje rrogash duhet plotësuar dhe mbështetur dhe nga qytetarët, pasi qeveria sipas tij ka para, por këto shkojnë “për tre djegësat, për instalacionin 4 milion euro të Ramës, për satelitët dhe helikopterë-taksi për mbledhje partie të ministrave”.
“Qeveria e Kosovës për shkak të rritjes së çmimeve vendosi të japë për çdo student 100 euro në mënyrë që ata të përballojnë rritjen e çmimeve dhe qirave. Universiteti i Prishtinës ka një buxhet gjashtë deri në tetë herë më të lartë se ai i Tiranës për kërkimet shkencore. Qeveria e Kosovës dhe shteti i Kosovës ka një buxhet qartësisht më të ulët se Shqipëria por në Shqipëri qindra milionë euro vidhen për tre djegësa që defakto nuk ekzistojnë.
Vidhen miliona e miliona euro dhe shpërdorohen nga të cilat 4 milionë për xhepin dhe syrin e Edi Ramës për insitalacionin e drurit, 6 milionë euro për satelitët pasi sytë nuk lejojnë të shikojnë katet shtes nga toka. Miliona euro udhëtime me avion në dispozicion në një kohë kur qeveri të vendeve shumë e shumë herë më të pasura detyrojnë qeveritë të udhëtojnë me linja tregtare. Qindra mijëra euro helikopterë taksi për mbledhje partie shpenzojnë ministrat shqiptarë. Pra e vërteta është se para ka por ato nuk shkojnë në destinacionin e duhur, nuk shndërrohen në rroga në bursa në pensione për punonjësit në Shqipëri por shndërrohen në fonde që vidhen nga qeveritarët”, tha Berisha.