Në përfundim të mbledhjes, kreu i Këshillit Kombëtar të PD, Edi Paloka ka prezantuar tri vendimet kryesore që përbëjnë risi për Primaret, rregullat për zgjedhjen e kandidatëve nga radhët e PD që do të kandidojnë në zgjedhje.
“Siç jeni në dijeni, me kërkesë të Këshillit Kombëtar, u shty për sot diskutimi i Rregullores së Primareve, pasi një pjesë e anëtarëve nuk e kishin lexuar dhe parë mirë. Sot u diskutua rreth kësaj çështjeje dhe ato që mund të konsiderohen risi nga Primaret e fundit janë:
Në votime, siç e përcakton statusi, në votime nuk do të marrë pjesë vetëm anëtarësia e PD, por do të marrin pjesë edhe simpatizantët e Partisë Demokratike. Përcaktohet saktë në Statut se kush janë simpatizantët dhe si regjistrohen simpatizantët. Simpatizantët e kanë të drejtën e votimit në primaret; pra në një farë mënyre nuk është risi.
Çështja tjetër është kandidimi i kryetarëve të degëve dhe pozicioni që duhet të mbajnë në Primare. Në fund u miratua propozimi i grupit të punës dhe të Kryesisë, sipas të cilit për kryetarët e degëve që do të kandidojnë në primare, funksionet e tyre do t’i kryejë një nga nënkryetarët e degëve. Pra, gjatë primareve kryetarët nuk do t’i ushtrojnë detyrat e tyre. Në rast se ata do të fitojnë dhe do të shpallen kandidatë zyrtarë për zgjedhjet, statusi e përcakton që nuk janë më kryetarë, po kandidatë për pushtetin lokal.
U diskutua gjithashtu dhe për pikë të diskutueshme: nëse do të ketë balotazh. U vendos që balotazhi do të qëndrojë si proces gjatë votimit”, u shpreh Paloka.