Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, është shfaqur sërish sot pranë një pallati që ka kate shtesë pa leje te zona e ‘Myslym Shyrit’ në Tiranë.
Çuçi ia faturoi shkeljet policisë dhe IKMT-së, duke thënë që ata kanë kusuret e veta, por nuk la pa përgjegjësi drejtësinë, prokurorinë dhe gjykatat.
‘Kjo që po bëjmë nuk është fushatë mediatike apo demagogji, por operacion ligjzbatimi kundër këtyre guximtarëve që i bazojnë aventurat e tyre mbi pjesën e mbetur të sistemit të vjetër të drejtësisë të cilët kur i vijnë dosje nga njerëz apo subjekte të kamura për evazion fiskal për krime të tjera e shohin si mundësi për të pasuruar xhepat e tyre.
Polica e IKMT-së ka kusuret e veta, por kjo pjesë e drejtësisë sikur të bënte punën do kishim rezultate shumë më të mira.
Ky subjekt është subjekt që jo vetëm ka kate pa leje, por një ndryshim skandaloz të projektit nga ai i miratuari më parë’, është shprehur Ministri i Brendshëm.
Pra të gjithë kanë faj për katet shtesë pa leje të atij pallati, përveç Çuçit që ndërtimin në fjalë që e ekspozoi sot e ka pranë pallatit të tij ku banon.
Çuçi doli në rrjete sociale, duke thënë se ‘sot kemi ardhur’, por ai aty banon, por nuk e ka parë më herët.
Tallëse dhe ironike sjellja e Çuçit, të cilit i ndërtojnë te hyrja e pallatit të tij pa leje, por që ai nuk e ka parë. /CNA