Reagimi i Jamarbër Malltezit
Përgënjeshtrim: Në përgjigje të mashtrimeve të mbrëmshme të gazetares Klodiana Lala, por dhe ndonjë tjetri që si ajo shpifin me regji, i them se:
1. Ti shpif kur krahason procesin e inceneratorëve me atë të privatizimit të objekteve të rrënuara te Partizani sepse ndonëse e di mirë skemën e inceneratorëve për të cilën ke shkruar shumë shkrime, mashtron me qëllim sipas regjisë për ngjashmëri që nuk ekzistojnë me privatizimin e kompleksit “Partizani”.
2. Ti shpif sepse e di që tek inceneratoret po vidhet para dhe pronë publike, ndërsa këtu pronarit iu kthye prona e tij private e grabitur nga hajduti shtet komunist dhe se pronarët e tokës jo vetëm nuk morën nga shteti qiranë që i takonte me ligj, por paguan edhe 800 mijë USD të tjera për të blerë objektet e rrënuara dhe me 42 familje informale brenda!
3. Ti mashtron me ndërgjegje sipas regjisë sepse e di se ndërkohë që inceneratorët duheshin bërë me tender publik dhe duke respektuar afatet e ligjit, ato u bënë pa tender dhe Elbasani brenda 1 ditë = 9 procedura kur duhej tender ndërkombëtar, ndërsa objektet e rrënuara të klubit që pronarët u detyruan t’i blejnë u privatizuan sipas ligjit dhe me një vonesë të tmerrshme që zgjati 3 vjet. Aferë korrputive nuk është të marrësh atë që të takon sipas ligjit, por të mashtrosh me komandë publikun për interesat e padronëve të tu, duke qenë në dijeni të plotë se po mashtron.
4. Nëse ka 1 shkelje ajo është që sipas Ligjit shteti detyrohet të paguajë qira pronarëve të tokës derisa të përfundojë privatizimi i objekteve, ndërsa në këtë rast nuk është paguar qira ndonëse procesi zgjati 3 vjet!
5. Ke 24 orë të kërkosh falje për mashtrimet e bëra në emisionin “Open”, dhe të sigurohesh që marrin të njëjtin mbulim mediatik, në të kundërtën do kesh mundësi ta bësh këtë në gjykatë.