E majta italiane e ka gjunjëzuar Italinë, sot ka shprese për ringritje

Ervina Toptani

Giorgia Meloni, Fratelli d`Italia dhe e djathta e bashkuar italiane ndërrojnë faqen e të bërit politikë në Itali … e shpresoj të jetë një ogur i mirë dhe për Europën e Shqipërinë tonë të vogël.

Nuk i rezistova dot një shkrimi të shkurtër për fitoren e bindshme të të djathtës së bashkuar italiane, me në krye Giorgia Meloni të Fratelli d`Italia, në zgjedhjet e 25 shtatorit në Itali.

E kam ndjekur intensivisht këtë fushatë të vështirë zgjedhore, të shpejtë e shumë të dhunshme verbalisht në Itali, siç kam ndjekur të gjithë ecurinë e ngritjen e Fratelli d`Italia prej vitesh tashmë. Për herë të parë, në jetën time, jam ndjerë e përfaqësuar si qytetare e botës së lirë prej një filozofie shpresëdhënëse të djathtë në politikën ndërkombëtare, që duke munguar ndjeshëm në Shqipëri e gjeta tek Atdheu i dytë i shumë shqiptarëve të tjerë.
Italia është gjunjëzuar pak nga pak, sidomos në këtë dhjetëvjeçarin e fundit, e udhëhequr nga e majta që mbi të gjitha nuk ka parë asnjëherë interesin kombëtar të Italisë, por janë mjaftuar duke iu bindur urdhrave të padronëve ndërkombëtarë.

Përgjithësisht kjo ka ndodhur edhe në Shqipëri me ndryshimin që tek ne asnjë skandal i përmasave gjigande që ndodhin pothuajse cdo ditë nuk sjell më dëshirën e rebelimit pozitiv të qytetarëve shqiptarë për të nxjerrë nga skena politike njëherë e mirë të gjithë politikanët që Shqipërinë e kanë gjunjëzuar në dekada. Kam pasur rastin të bisedoj shpesh me italianë që jetojnë e punojnë në Austri dhe në çdo bisedë kam ndjerë tek ata të njëjtën keqardhje e pesimizëm siç e ndjej dhe unë për Shqipërinë, sidomos për mungesën e shpresës se dikush apo një forcë e caktuar politike do të dojë me mendje e zemër të sjellë ndryshimin e shumëpritur për të ardhmen tonë.

Dinjitet kombëtar, bashkim kombëtar, zgjim i ndërgjegjes kolektive për t`u kthyer tek rrënjët tona, dëshirë për të ç`bërë të keqen e instaluar si normë e si sistem të qeverisjes tashmë prej dekadash, forcë, kurajo e guxim për të marrë përgjegjësitë tona si qytetarë, dëshirë për t`u kujdesur për Shqipërinë njësoj siç bëjmë me foshnjat që prej se i sjellim në jetë, respekt e dinjitet flamurit, Atdheut, heronjve, prindërve e fëmijëve tanë. Ky është slogani politik që do të doja të shihja të trupëzuar në një forcë të re politike në Shqipëri, siç e kam parë në vite, të palëkundur tek një grua që bashkë më guximin për të thyer mitet e mentalitetit të konsoliduar tashmë se politika është e pisët dhe drejtohet nga qarqe e grupime të padukshme në sipërfaqe, ia doli të sjellë shpresën dhe bindjen se të gjithë bashkë mundemi.

Një grua që mbi të gjitha merr përsipër përgjegjësinë, në kohën aktuale më të vështirë për Italinë, e mbështetur nga një grup njerëzish që i lidh dëshira për ta ringritur Italinë aty ku i takon të jetë, si ish fuqia e 7 në botë, beson verbërisht tek ideali se: sa kohë njerëzit duan, ata munden. Liria është kusht i panegociueshëm, kur nuk ke padronë je i lirë, ke vetëm Zotin mbi krye si udhëheqje shpirtërore, guximin e dëshirën si armë për të vazhduar përpara.
Edhe Shqipërinë njerëzit e bëjnë, qytetarët shqiptarë që përbëjnë kombin në cdo konjukturë të mundshme, e janë shqiptarët që duhet të jenë në qendër të ndërtimit të shtetit të tyre.

Uroj me shpirt që një ditë Shqipëria të zgjohet nga të njëjtat dëshira, nga i njëjti guxim e pastërti shpirtërore për të nxjerrë nga gjiri i saj një forcë politike me njerëz që mbi të gjitha duan kombin, duan bashkimin kombëtar, t`i kthejnë Shqipërisë dinjitetin, begatinë e prosperitetin e munguar. E di që është e vështirë, në fund të fundit ne shqiptarët nuk e kemi pasur kurrë të lehtë, as sot që ende i gjen djemtë e vajzat tona nëpër gomone mes detit e duke u përpjekur me thonj për të arritur të kenë një jetë dinjitoze, por me 1000 vështirësi, rrugëve të botës.

Shqipëria bëhet, ashtu siç jam e bindur se do të ringrihet Italia, vetëm prej dashurisë e dinjitetit të qytetarëve të saj. Uroj t`ia arrij asaj dite kur zemra të më shpërthejë prej gëzimit e krenarisë që ta shoh vendin tim të lulëzojë dëshire për të qenë më i forti e më i prosperuari vend në Ballkan. I kemi të gjitha mundësitë për ta bërë këtë.

About Redaksia2

Check Also

Historia përsëritet në mënyrë spirale

Nga Redin HAFIZI Kjo qeverisje është kthyer në bërthamën e një regjimi që po kap …

Leave a Reply