Armando Broja ka nënshkruar edhe zyrtarisht kontratë të re me Chelsean. Në afatin kalimtar të verës pati mjaft shumë spekulime rreth të ardhmes së tij, por sulmuesi shqiptar në fundi mbeti te klubi londinez.
Klubi i Chelseat ka njoftuar zyrtarisht këtë të premte për rinovimin e kontratës me Brojën.
Sipas kontratës së re, 20-vjeçari do të jetë i lidhur me “Blutë” deri më 30 qershor 2028.
Kontrata paraprake e reprezentuesit të Shqipërisë ishte e vlefshme deri në verën e vitit 2026.
Armando Broja kontratën e re e nënshkroi në praninë e pronarit të klubit, Todd Boehly.
“Më mungojnë fjalët vetëm duke menduar për këtë. Është klubi që kam ëndërruar të luaj gjatë gjithë jetës sime, klubi që unë mbështes dhe klubi që dua. Unë kam qenë këtu që kur kam qenë fëmijë, kështu që është një ndjenjë surreale për mua dhe familjen time”, tha Broja për faqen zyrtare të klubit.
“Të mund të vesh fanellën blu me ekipin e parë është një ëndërr e bërë realitet. Është e mahnitshme çdo minutë që luani në fushë, sepse ky është një nga klubet më të mëdha në botë. Gjithmonë ka konkurrencë dhe të gjithë duan të luajnë, kështu që unë jam i lumtur që kam mundësinë të jem pjesë e saj. Shpresoj që të luaj shumë ndeshje dhe të jem pjesë e suksesit të ekipit”, shtoi ai.
Broja ka regjistruar tri paraqitje në Premierligë këtë sezon, duke u inkuadruar si zëvendësues. Reprezentuesi i Shqipërisë u rikthye këtë sezon te Chelsea, pasi në sezonin e kaluar luajti si i huazuar te Southamptoni. Armando Broja me Southamptonin regjistroi paraqitje të mira, teksa shënoi 9 gola.