Berisha tha se, ne jemi të angazhuar në një betejë shumëplanëshe. “Në një anë alternativat që do ju ofrojmë qytetarëve. Grupi i punës me në krye Oerd Bylykbashin, Yllsi Asllanin, Ivi Kason, Bresnik Aliajn dhe ish-qeveritarët tanë vendorë të shkëlqyer do paraqesin para shqiptarëve projektin e ri të reformës territoriale i cili ka vetëm një synim, rikthimin te qytetari. Sot personeli i emëruar dhe në tërësi pushteti vendor shpenzon rreth 10% më shumë se shpenzonte më parë, shërbimet janë përtokë, investimet janë përtokë. Para dy ditësh dëgjova kreun e qarkut Korçë i cili i tha se gjatë 8 viteve janë ndërtuar në këtë qark 58 km. Kjo është një histori që komunitetet u braktisën, fshatrat u braktisën, përqendrimi i fondeve u bë tërësisht në Tiranë, ose në fushata elektorale dhe u bë një vjedhje që nuk ka kufi”, tha ai.
FJALA E PLOTË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, SALI BERISHA NË BASHKËBISEDIMIN ME QYTETARËT DHE EKSPERTËT NË FIER NË LIDHJE ME REFORMEËN TERRITORIALE
Të dashur miq,
zonja dhe zotërinj të pranishëm në këtë takim,
i nderuar zoti Bylykbashi, zoti Kaso, zoti Ylli Asllani, Besnik Aliaj,
të gjithë të pranishëm sa jeni në këtë takim.
Shpreh kënaqësinë që jam këtu dhe t’u them ju se ne si demokratë jemi në një situatë emergjence. Emergjencë kjo që na dikton një veprimtari të gjithanshme në mënyrë që të përballemi me armikun më të keq të lirisë së shqiptarëve pas Enver Hoxhës deri sot, që është Edi Rama.
Të shpallësh një kundërshtar armik nuk është e përshtatshme, por një kundërshtar që shkelmon liritë e qytetarëve, që shkelmon, dhunon votën e qytetarëve, që ju heq anëtarëve të partisë së tij të drejtën e votës, dhe krijon kështu në Shqipëri një parti që nuk voton, e cila në të gjitha variantet s’mund të jetë kurrë demokratike. Mund të jetë ekstremiste e majtë, mund të jetë naziste apo fashiste, por vetëm parti e një harku Kushtetues demokratik nuk mund të jetë. Këtu e ka sjellë Edi Rama shoqërinë shqiptare. Në këtë sens, e vërteta është që ai nuk është më pak armik i demokratëve se sa është i qytetarëve pa parti, se sa është vetë socialistëve që besojnë në lirinë, besojnë në votën dhe besojnë në rregullat e demokracisë.
Edi Rama nuk e realizoi këtë për një vit.
Jo!
Ai e nisi që në fillim. Me të parën që e nisi ishte Reforma Territoriale. Çfarë bëri ai me Reformën Territoriale. Me Reformën Territoriale Edi Rama dëmtoi rëndë përfaqësimin e qytetarëve. Qytetarët shqiptarë zgjidhnin me votën e tyre 420 kryetarë komunash dhe bashkish, zgjidhnin me votën e tyre mijëra përfaqësues këshilltarë. Dhe kishin një përqendrim të shërbimeve ndaj tyre. Natyrisht nuk them se nuk kishte nevojë për reformim. Transformimet që u bënë në infrastrukturë, ndryshimet demografike e bënin të domosdoshme.
Por ai përdori reformën territoriale absolutisht për parime të kundërta që duhej përdor. Nëse pushteti vendos ka parim themelor decentralizimin dhe autonominë, ai përdori centralizimin e këtij pushteti. Dhe sot në Fier, në çdo qark, në çdo rreth, ke me qindra zona, fshatra, që nuk përfaqësohen nga asnjë këshilltar. Zëvendësoi të zgjedhurit e Njësive Administrative, me të emëruarit e partisë, të cilët nuk u japin ju asnjë llotari, nuk u japin qytetarëve asnjë llogari. I japin vetëm atij që i emëron.
Pra, se ju jeni njerëz politikë dhe alfa e demokracisë fillon me votën dhe përfaqësimin. Ky, këto i shkatërroi nëpërmjet reformës në qeverisjen vendore. Përveç kësaj, në mënyrën më jo demokratike, i la bashki të gjitha ato që donte dhe sot Gjirokastra me 120 mijë banorë ka 7 bashki, kurse Tirana me mbi 1 milionë banorë ka gjithsej 4 bashki. Ky është koncepti i Edi Ramës. Ndaj ai përbën një rrezik të madh kombëtar.
Edi Rama përbën rrezik të madh kombëtar.
Pas kësaj vazhdoi me dhunimin e votës, vazhdoi me patronazhistët. Vazhdoi me përdorimin e të gjithë shtetit për votën. Vazhdoi me bandat, me terrorin dhe sot qëndron në pushtet në mënyrën më të paligjshme që mund të qëndrojë njeri.
Në këto rrethana ne jemi të angazhuar në një betejë shumëplanëshe. Në një anë alternativat që do ju ofrojmë qytetarëve. Dhe grupi i punës me në krye Oerd Bylykbashin, me Sekretarin e Pushtetit Vendor Ylli Asllanin, Ivi Kason Sekretar i Reformës Elektorale dhe Ligjeve, Besnik Aliajn, akademik i shquar dhe ish-qeveritarët tanë vendorë të shkëlqyer do paraqesin para shqiptarëve projektin e ri të Reformës Territoriale, të ndarjes territoriale, i cili ka vetëm një synim, rikthimin te qytetari, tek vota e tij, tek përfaqësimi i tij, tek interesat e tij. Sot, personeli i emëruar dhe në tërësi pushteti vendor shpenzon rreth 10% më shumë se sa shpenzonte më parë, shërbimet janë përtokë, investimet janë përtokë. Para dy ditësh dëgjova kreun e Qarkut Korçë i cili i tha Edi Ramës se gjatë 8 viteve janë ndërtuar në këtë qark, në fshatra, 58 km. Mu kujtua menjëherë se Agim Hoxha te 4 rrugët e Shijakut, kishte ndërtuar 49 km rrugë, një komunë. Për të mos thënë në Qarkun e Fierit që janë ndërtuar mbi 530 km. Pra, kjo është një histori që komunitetet u braktisën, fshatrat u braktisën, përqendrimi i fondeve u bë, për investime, tërësisht në Tiranë, ose në fushata elektorale dhe u bë një vjedhje që nuk ka kufi.
Sot shkarkoi Arben Ahmetajn për një aferë e cila ka 5-6 vjet që zien. Janë 420 milionë euro. Pyesni pak për inceneratorin e Fierit, 32 milionë euro, që nuk ekziston. I Tiranës, 189 milionë euro, nuk ekziston. Ndërtohet bypass i Fierit me 2.3 milionë euro kilometri sepse e ndërtojnë Bankat Europiane. Ndërtohet një rrugë nga tuneli i Krrabës në Farkë, 30 milionë euro. Ndërtohet në Tiranë zgjerimi i Unazës, 22 milionë euro. Vjedhje, vjedhje pas vjedhje. Njerëzit thonë epo punët e shtetit janë ato. Jo. Janë taksat tuaja, taksat e qytetarëve. Nëse kemi dy buxhete, një në shtet dhe një në familje, është njëlloj si të na vjedhë secilin prej nesh, kjo është vjedhja. Dhe ne duhet t’i t’i japim një përgjigje të merituar atij për këto, shumë shpejt.
Në rrafshin politik përsëri.
Ai insiston te Ballkani i Hapur. Ne e kundërshtojmë Ballkanin e Hapur si një projekt të cilin Aleksandar Vuçiç, jo Sali Berisha, e deklaroi një javë pasi u firmos në Novi Sad, “është Jugosllavia e vjetër plus Shqipërinë”. Këtu, ata që kanë lexuar e kujtojnë se si në ’45-ën Enver Hoxha bënte gjithçka për ta shndërruar Shqipërinë në ‘Republikë të shtatë’. Dhe Vuçiç u thotë serbëve se “kjo është Jugosllavia e vjetër + Shqipërinë”. Kurrë nuk do ta pranojmë! Përveçse Shqipëria shndërrohet në një vasal, shkatërrohet përfundimisht prodhimi bujqësor në Shqipëri. Edhe kështu është në shkatërrim e sipër e po ndjehen pasojat që në fillim. Janë rritur importet bujqësore serbe 250% nga vjet sivjet. Në një kohë kur fermerët tanë djersijnë, kalben prodhimet, u falimentojnë serat, u falimentojnë baxhot, me një fjalë rrokullisen. A mund të pranohet ky akt antikombëtar i Edi Ramës? Kurrë!
Ju e morët vesh se para 3 ditësh njoftohem nga Home Office se jam shpallur non grata. Mund t’ju them një gjë, Hasan Zyko Kamberi ishte gjeni kur shkruante se: “Me para ia hyn Qabesë, shemb vakëfin e Fatimes”! Ky miqtë e mi është një akt i tmerrshëm korruptiv. Mbetem i vendosur të luftoj për ju, korrupsionin, me të gjithë forcën tim nga cilido qoftë. Akti vjen në vazhdim të një akti të lobuar në mënyrë korruptive nga Soros dhe Edi Rama gjatë të cilit 1 vit rresht nuk nxorën dot një fakt të vetëm dhe ju jap fjalën, ju garantoj se edhe për 100 vjet nuk nxjerrin dot një fakt të vetëm. Jo! Pas këtij u duhej edhe një tjetër akt që të thonin se e ka bërë edhe Britania. E gjithë bota po ta bëjë mbi bazë korrupsioni do ta denoncoj. Dhe asgjë s’më tërheq mua nga kauza e drejtë e përbashkët, lufta kundër korrupsionit të Edi Ramës, lufta kundër korrupsionit të qeverisë, lufta kundër bandave dhe krimit.
Por këto nuk janë agjenda jonë. Agjenda jonë është rrëzimi i kësaj qeverie. Unë ju thash këto vetëm për t’ju garantuar se sikundër deri sot do të denoncoj me të gjithë forcën time krimin dhe kriminelët të cilët u bëjnë presion, vrasin, vendosin gjoba në Shqipëri. Do të denoncoj korrupsionin kudo qoftë, zyrtarë shqiptarë apo i huaj dhe kudo që të ndodhet.
Kauza jonë është e drejtë! Ne do të fitojmë!
Faleminderit shumë!