SPAK duket se është vënë në lëvizje përsa i përket koncesionit korruptiv të sterilizimit, pasi ka marrë në pyetje ish-zv/ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, në kohën kur ministër ishte Ilir Beqaj.
Ai është paraqitur përballë prokurorit Endrit Bime, paraditen e të martës, ku ka dhënë sqarime për më shumë se dy orë në lidhje me akuzat e ngritura nga Prokuroria.
Zyrtari ka deponuar me cilësinë e personit që ka dijeni për hetimin, pasi në një nga koncesionet ka qenë kryetar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Rjepaj ka sqaruar të gjithë procedurën ligjore që është ndjekur në dhënien e këtyre shërbimeve tek privati.
Gjithsesi, ai nuk do të jetë i vetmi që do të japë shpjegime përballë organit të akuzës në lidhje me koncesionet e dyshimta të Ministrisë së Shëndetësisë.
Dyshohet se në listën e personave që kanë firmosur koncesionet për të cilët ka ngritur dyshime prokuroria ekziston edhe firma e Milva Ekonomit, e cila deri pak kohë më parë mbante postin e zëvendës ministres së shëndetësisë, ndërsa aktualisht është ministre e Ekonomisë.
Bashkë me Rjepajn ajo ka qenë pjesë e komisionit vlerësues të ofertave dhe pritet të merret në pyetje nga Prokuroria në lidhje me këtë rast për të dhënë versionin e saj. Gjithashtu, në ditët në vijim, hetuesit pritet të marrin në pyetje Arben Gjatën, Genci Byrazerin dhe Petro Mersinin anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
Prokuroria, gjatë kësaj periudhe, ka sekuestruar disa materiale në Ministrinë e Shëndetësisë, që kanë të bëjnë pikërisht me këto tendera. Grupi hetimor thotë se do të pyeten të gjithë zyrtarët, të cilët kanë firmosur për këto koncesione dhe nuk është i përjashtuar askush, ndaj edhe Ekonomi nuk bën përjashtim pasi ka qenë zëvendësministre e Shëndetësisë.
Hetimi për këtë çështje filloi kryesisht nga Prokuroria, pas denoncimeve të vazhdueshme në media për shkelje ligjore në këto tendera. Koncesionet që po hetohen aktualisht janë tre; ai i check up -it, hemodializës dhe strerilizimi i pajisjeve kirurgjikale.
Në fakt hetimet për këtë çështje nisën që në muajin dhjetor të vitit 2015, por pas mbledhjes dhe verifikimit të dokumentacionit, pikërisht tani organi i akuzës ka filluar të marrë në pyetje personat që kanë firmosur. Koncesioni më shqetësues, ku mendohet se ka pasur abuzime më të mëdha, është ai për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë euro, por edhe dy koncesionet e tjera nuk mbeten pas.