Një ditë pas zgjedhjes së kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD, Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale ka dalë në një konferencë në selinë e PD.
Albana Vokshi tha se, për herë të parë një parti bën një proces kaq transparent.
“Dje u përmbyll edhe zgjedhja e kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD, ku zoti Edi Paloka u shpall kryetar me mbi 65 përqind të votave. Të gjithë janë të informuar, publiku e ka të qartë se për herë të parë një parti politike kryen një proces kaq transparent dhe publik, ku thelbi i procesit është vota”, tha Vokshi.
“Në PD ka një vullnet maksimal që çdo hallkë e procesit të jetë transparente. Ju e keni vënë re që çdo votë është numëruar në mënyrën më transparente”.
“Ju keni qenë vetë dje. Gazetarët kanë qenë prezent që para fillimit të punimeve të Këshillit Kombëtar. Për herë të parë keni vënë re tavolinat e regjistrimit të anëtarëve të KK. Çdo anëtar është regjistruar dhe kur është hapur mbledhja, ata kanë qenë të regjistruar në mënyrë dixhitale. Në sallë ishin 203 anëtarë. Pasi u mbyllën punimet, keni qenë prezentë dhe keni filmuar një më një kush ka numëruar”, tha Vokshi.